Hodaj largohet nga FFK, zbulon arsyen

- Bota Sot

Hodaj largohet nga FFK, zbulon arsyen

Taulant Hodaj ka shkëputur bashkëpunimin me Federatën e Futbollit të Kosovës, aty ku ishte avokat dhe përfaqësues juridik i kësaj federate.

Ai në Facebook ka thënë se kishte mospajtime me drejtuesit e FFK -së për një sërë ngjarjesh dhe praktikash “të përsëritura nga FFK që kanë qenë në kundërshtim me parimet e tij profesionale”.

"Me keqardhje, por edhe me ndjenjën e përgjegjësisë profesionale, kam njoftuar sot kryetarin e Federatës së Futbollit të Kosovës për vendimin për përfundim të bashkëpunimit tim si avokat dhe përfaqësues juridik i FFK-së. Ky vendim erdhi pas një sërë ngjarjesh dhe praktikash të përsëritura nga FFK që kanë qenë në kundërshtim me parimet e mia profesionale, veçanërisht në lidhje me pengesat dhe qasjet e ndryshme rreth përfaqësimit të rastit në CAS Lozanë kundër Rumanisë", ka shkruar Hodaj.

Hodaj ka thënë se me në qasje të tillë, FFK do ti dëmtojë mundësitë për ta fituar rastin në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv për ndeshjen kundër Rumanisë, e cila ishte ndërprerë në minutat shtesë për shkak të thirrjeve raciste nga tifozët rumunë.

"Besoj se kjo qasje e FFK-së do të dëmtojë shanset e Kosovës për të fituar rastin dhe mbrojtur të drejtat dhe reputacionin futbollistëve dhe ekipit kombëtar. FFK-ja është njoftuar për këtë dhe arsyet e tjera kyçe të ndërprerjes së bashkëpunimit", tha Hodaj.

Në të kaluarën, Hodaj kishte punuar edhe si ushtrues i detyrës së sekretarit të Përgjithshëm të Federatës së Futbollit të Kosovës.



Read it all at Bota Sot