Riccardo Calafiori u largua nga Serie A në verë për t’iu bashkuar Arsenal-it në Premier League.
Por në një intervistë për revistën Undici, mbrojtësi i është rikthyer largimit nga Roma, klubi që e ka rritur:
“Në atë kohë isha i zhgënjyer. Por kurrë nuk kam pasur ndjenja të këqija ndaj Roma-s. Mendoj se nuk është e lehtë të parashikosh të ardhmen e një djali kaq të ri.
“Dhe pastaj një klub duhet të bëjë zgjedhje, veçanërisht nëse ka shumë lojtarë në atë rol. Roma ka qenë padyshim një pjesë e madhe dhe e rëndësishme e jetës dhe karrierës sime, dhe unë ende mendoj vetëm gjëra pozitive për të”.
Për rolin e tij në fushë:
“Thiago Motta dhe më pas Spalletti dhe Arteta, më ndryshuan shumë, për sa i përket vizionit të lojës, hapësirave për të zënë, gjithçkaje. Por gjithashtu mendoj se ka shumë mbrojtës me karakteristika më të mira se të miat, prandaj punoj shumë jashtë fushës dhe ndoshta kjo bën diferencën.
“Por ka shumë gjëra që nuk di t’i bëj ende. Ndër këto është dëshira për të mësuar të luaj në sa më shumë role. Tani për tani ndihem sikur di të bëj dy, do të doja të mësoja edhe një të tretë: mesfushorin. Është një rol që më ka magjepsur gjithmonë”.
Për Itali-Spanjë në Kampionatin Europian. “Është ndeshja që e mbaj më afër zemrës, që nuk do ta harroj kurrë. Do të jetë gjithmonë një nga kënaqësitë e mia më të mëdha.
“Pikërisht për mënyrën se si reagova pas autogolit: ndoshta më pas luajta më mirë se më parë. Ishte kulmi i atij rrugëtimi që kisha nisur tashmë disa kohë më parë, sigurisht që Riccardo i 7-8 muajve më parë nuk do të kishte reaguar kështu”.