Synon të shesë Milanin! Sheikët në garë

- Bota Sot

Synon të shesë Milanin! Sheikët në garë

Në vitin 2027 skadon afati për “RedBird” që të shlyejë huanë ndaj shitësit “Elliott”. Në lojë janë 748 milionë euro, të cilat Xherri Kardinale po mundohet t’i gjejë, duke ftuar investitorë në klubin kuqezi.

Deri tani ky plan nuk ka funksionuar, aq sa pak para vitit të ri, manjati italo-amerikan kërkoi një rifinancim të borxhit, që edhe iu miratua duke ndryshuar interesat. Spekulimet e fundit kanë qenë të lidhura shpesh me faktin se mes dy fondeve nuk ka asnjë ujdi shitje dhe se Milani i përkiste dhe vazhdon t’i përkasë familjes Singer dhe fondit “Elliott”.

Sidoqoftë, sipas “Sole 24 Ore”, shitja e klubit mund të jetë një opsion për të shpëtuar Kardinalen nga borxhet dhe për t’i dhënë fund njëherë e mirë administrimit aktual të “Djallit” që përveçse nuk ka sjellë rezultatet e pritura, ka krijuar edhe një krisje me tifozërinë.

OPSIONET E SHITJES – E përditshmja italiane, e specializuar në çështjet financiare, sugjeron se shitja e Milanit mund të ndodhë në drejtim të një sheiku arab apo fondeve të ndryshme nga Emiratat e Bashkuara Arabe. Në njëfarë mënyrë siç kanë vepruar PSG-ja apo Mançester Sitit.

Në gjendjen aktuale, Milani së bashku me asetet ka një vlerë që u afrohet 1 miliard eurove, por ideja e “RedBird” ka qenë gjithmonë ajo e rivlerësimit të markës kuqezi dhe shitjes për të paktën 1.5 miliardë euro. Aktualisht nuk ka emra që janë favoritë, por “Sole 24 Ore” konfirmon interesin nga palë të shumta për blerjen e 19 herë kampionëve të Italisë.



Read it all at Bota Sot