Dy ndeshjet e marsit për kombëtaren shqiptare mbaruan, kështu që tani është koha për një reflektim të thjeshtë për sfidat e ardhshme dhe ecurinë tonë në projekt afatgjatë.
Nëse mesfusha duket “e blinduar” me lojtarë të rinj si Asllani, Berisha dhe Shehi, në krahun e djathtë të mbrojtjes situata është alarmuese.
Me Balliun dhe Hysajn në fund të karrierës, ka ardhur koha që Sylvinho të mendojë për një plan B. Krahu i djathtë i mbrojtjes nuk mund të zgjidhet brenda ditës, kështu që në vijim presim që Hadrojit t’i jepet më shumë besim.
Nëse duam që të ‘fitojmë’ sa më shumë lojtarë, aktivizimi i planifikuar në detaje është e vetmja mënyrë. Hadroji është një nga të paktat opsione momentale në këtë rol dhe duhet provuar sa më parë.
Një fitore e madhe nga ky muaj është dyshja Broja-Manaj. Ata funksionuan mirë së bashku. Broja ia doli të tregojë vlerat e tij si lojtar krahu dhe për këtë meriton përgëzime. Do të ishte ideale nëse luajmë edhe në vijim me të dy në fushë.
Për ta mbyllur, nëse Broja nuk do të konceptohet si sulmues i djathtë, ka ardhur koha që të provojmë më shumë lojtarë në ofensivë, duke qenë se Asani dhe Bajrami nuk kanë rendimentin e mëparshëm.
Muçi, për shembull, është dëshira e kahershme e tifozëve kuqezi për ta parë në formacion. Mesfushori ofensiv meriton minuta, të cilat deri tani nuk i ka marrë. Urojmë që Sylvinho të reflektojë.