Megjithëse numri i madh i shkollave të futbollit që po hapen në Kosovë viteve të fundit shihet si një mundësi për shpërfaqjen e talentit për këtë sport që në moshë të re, analistët dhe trajnerët konsiderojnë se ato nuk po e japin rendimentin e duhur për shkak të numrit të madh të fëmijëve që pranojnë brenda tyre, derisa këtij masiviteti nuk i përgjigjen me stafin e duhur të trajnerëve.
Trajneri dhe analisti i futbollit, Ardian Llumnica, ka thënë për KosovaPress se për të nxjerrë më të mirën nga fëmijët në stërvitjet e futbollit, një trajner nuk duhet të ketë më shumë se 15 deri 20 fëmijë.
Llumnica: Një trajner mund të nxjerrë më të mirën nëse punon me 15-20 fëmijë
“Nëse e shikojmë aspektin profesional duhet thënë që 15 (fëmijë), por te ne është absurde ndoshta të punohet, por gjithsesi me 20 futbollistë apo 25 një trajner mund t’i menaxhojë nëse janë të moshës së njëjtë, sepse është sfidë që shumë shkolla e kanë për shkak të terminëve në fusha të caktuara që grup-moshat janë të përziera dhe rrjedhimisht aty ndahet edhe aspekti profesional prej atij amator. Është sfidë, por ka përparime në këtë aspekt, por mendoj që në vitet e ardhshme me këtë trend që është duke u zhvilluar infrastruktura, sidomos me fushat ndihmëse që janë duke u bërë, do të eliminohen apo do të minimizohen raste të tilla kur një trajner punon me një grup me më shumë se 30 apo 40 fëmijë siç ka parë edhe unë dhe siç e dinë të gjithë”, thotë Llumnica.
Trajneri i klubit “2 korriku”, Labinot Haziri, tha për KosovaPress, se ka shumë shkolla të futbollit që janë hapur por nuk i plotësojnë kriteret minimale.
Haziri thotë se kur një trajner mbikëqyrë një numër të madh të fëmijëve në stërvitje, atëherë ai e ka të pamundur që t’i vendosë ata në kontakt me topin, që është elementi kryesor në futboll.
Haziri: Ka shkolla të futbollit që nuk i plotësojnë kriteret minimale
“Disa prej shkollave të futbollit mund të them që nuk i plotësojnë as kriteret minimale për t’u hapur si shkollë e tek ato duhet pasur kujdes edhe prindërit edhe institucionet të cilat i mbikëqyrin...Numri i madh i fëmijëve dhe numri i vogël i trajnerëve është vështirësi shumë e madhe për arsye se një trajner, varësisht edhe nga mosha, nuk mund të menaxhojë më shumë se një grup të futbollistëve që janë afërsisht 20 futbollistë me një asistent ë dytë që e ka. Përndryshe, nëse është numri shumë i madh i fëmijëve në një grup, ata shumë pak mund të vijnë edhe në kontakt me topin, e sidomos te këto shkollat që nisin punën me gjeneratat prej U6, U13 apo maksimumi U15, atyre iu duhet topi, hapësira dhe korrigjim i madh për elementet teknike dhe gjithë pjesën e futbollit”, tha Haziri.
Ish-dekani i Fakultetit të Sporteve, njëherësh trajneri Musa Selimi thotë se shkollat e futbollit në Kosovë nuk i japin rëndësinë e duhur bashkëpunimit në trekëndëshin trajner-fëmijë-prind, derisa shton se puna me grupe të mëdha fëmijësh ulë kualitetin e tyre.
Selimi: Puna me grupe të mëdha të fëmijëve e ulë cilësinë e futbollit
“Trekëndëshi fëmijë-trajner-prind duhet të funksionojë jashtëzakonisht mirë në mënyrë që ata të informohen me të gjithë zhvillimin e fëmijëve të tyre, zhvillimin harmonik dhe të mos kërkojmë që brenda një viti në fëmijë të bëhet yll, të bëhet futbollist i famshëm, por futbolli, e dimë të gjithë, që është proces, nevojitet shumë sakrificë, mund, motivim dhe punë profesionale në mënyrë që të zhvillohet në të gjitha drejtimet, qoftë në edukimin e tij dhe formimin e tij si futbollist. Një trajner mendoj se nuk mund të punojë më tepër se me 15, eventualisht deri 20 fëmijë e që fatkeqësisht në shumë shkolla të futbollit hasim edhe grupe të mëdha që pastaj kontrolli dhe cilësia e fëmijëve nuk është në nivelin e duhur”, thekson Selimi.
Për ta eliminuar këtë dukuri, ose përmirësuar kushtet e punës në shkollat e futbollit, sipas trajnerëve të futbollit, është shumë e nevojshme mbikëqyrja nga ana e Ministrisë së Sportit, por edhe Federata e Futbollit të Kosovës.