Përkohësisht larg kampionatit, Shkëndija rikthen vëmendjen te Kupa e Maqedonisë, ku të mërkurën në Tetovë zhvillohet ndeshja e parë gjysmëfinale ndaj Struga Trim&Lum. Ndeshja do të luhet pa praninë e publikut për shkak të pezullimit të vendosur nga FFM.
"Ekipi vjen në këtë sfidë me moral të lartë pas dy fitoreve radhazi në kampionat ndaj AP Brerës dhe Tikveshit, dhe synimi është që forma e mirë të bartet edhe në Kupë.
Kuqezinjtë nuk e fshehin ambicien për të fituar trofeun, ndaj dueli ndaj një kundërshtari si Struga ka rëndësi të madhe.
Skuadra
Në aspektin e përbërjes, Shkëndija nuk do të ketë në dispozicion Mevlan Adilin, i cili është i pezulluar pas kartonit të kuq të marrë ndaj Tikveshit. Gjithashtu, Kamer Qaka vazhdon rikuperimin dhe mbetet jashtë kombinimit.
Kundërshtari
Struga, kampione e dy sezoneve të fundit, këtë vit nuk po zhvillon sezon të mirë në kampionat dhe është larg garës për titull dhe pozitat evropiane. Kështu që për ta, Kupa mbetet mundësia e vetme për të siguruar dalje në arenën ndërkombëtare dhe rrjedhimisht do të jenë ekipi me presion më të lartë në këto duele.
Transmetimi
Ndeshja Shkëndija-Struga T&L do të transmetohet drejtpërdrejt në Shkëndija Channel me fillim nga ora 16:00", njofton KF Shkëndija.