Calhanoglu largon euforinë

- Bota Sot

Calhanoglu largon euforinë

Interi ka marrë një fitore të artë në “Allianz Arena”, duke mposhtur 2-1 Bayernin në ndeshjen e parë çerekfinale të Champions League. Një sukses që iu jep avantazh të rëndësishëm zikaltërve përpara ndeshjes së kthimit, e cila do të luhet më 16 prill në “San Siro”.

Gjermanët goditën edhe një shtyllë me Harry Kane, por në minutën e 38-të ishte Lautaro Martínez që realizoi me një goditje të jashtme të mrekullueshme, pas asistit me thembër nga Thuram. Në fundin e pjesës së dytë, Müller barazoi përkohësisht rezultatin në minutën e 85-të, por vetëm tri minuta më vonë, Frattesi riktheu epërsinë për Interin.

Pas ndeshjes, Hakan Calhanoglu foli për “Inter TV”, duke vlerësuar paraqitjen dhe mentalitetin e skuadrës së tij: “E dinim që Bayerni është një skuadër shumë e fortë, me shumë cilësi, por erdhëm këtu me kokën lart, pa u dorëzuar. Në pjesën e parë kemi luajtur shumë mirë, krijuam shumë raste. Në pjesën e dytë ritmi ra disi, por në fund e rëndësishme ishte fitorja, të cilën e arritëm.

Minutat e fundit ishin të mrekullueshme, nuk është kurrë e lehtë të fitosh këtu. I përgëzoj djemtë për reagimin pas ndeshjes zhgënjyese me Parmën. Tani mendojmë për ndeshjen e kthimit, e cila nuk do të jetë kurrsesi ‘shëtitje”. Jemi të karikuar, edhe pse e dimë që nuk do të jetë i thjeshtë kualifikimi në gjysmëfinale. Sidoqoftë, me këtë shpirt mund t’ia dalim”.

Për “San Siron” dhe atmosferën që i pret në çerekfinalen e kthimit: “Do të jetë një atmosferë shumë e nxehtë, me tifozët tanë që do të na mbështesin fuqishëm. Mezi po presim për ta luajtur ndeshjen e dytë, sepse duam të ecim përpara në këtë kompeticion”.

Për ngarkesën fizike dhe motivimin: “Luajmë shumë, është e vërtetë, por kjo na mban në ritëm. Për mua është edhe më mirë kështu. Ka shumë sakrifica, sidomos në aspektin mendor, por gjithçka e përballojmë bashkë. Jemi mirë si grup, fakti që kalojmë shumë kohë së bashku na ndihmon jashtëzakonisht”.



Read it all at Bota Sot