Xhonatan David dhe Interi janë një binom që kanë kaluar disa faza me njëra-tjetrin.Lirimi i tij me parametra zero në fundin e sezonit ka ngritur menjëherë antenat në Milano, që në vitet e fundit janë treguar të kujdesshëm për të afruar profile të tilla dhe lojtarë që iu skadojnë kontratat me klubet e tyre.
Disa ditë më parë u publikuan nga mediat disa nga kërkesat që ka sulmuesi kanadez, mes tyre 9 milionë euro rrogë, bonus për firmën dhe disa komisione për agjentin e tij. Shifra që i trembin thuajse të gjithë, jo vetëm Interin. Por për momentin nuk ka shumë ekipe të mëdha që të marrosen pas 25-vjeçarit dhe këto kërkesa nuk i kanë lënë shumë të kënaqur drejtuesit e skuadrave.
Fakti që ende nuk ka asnjë marrëveshje me asnjë klub, do të thotë që të gjithë janë në lojë, përfshirë edhe Interin.
Zikaltrit do të tentojnë të bëjnë një goditje alla Turam, i cili ishte i destinuar të kalonte te Bajerni, pastaj te Monako dhe PSGja, por në fund erdhi në Milano falë punës së jashtëzakonshme të drejtuesve.
“Gazzetta dello Sport” ka shkruar disa ditë më parë që ka pasur një kontakt mes Interit dhe menaxherit të lojtarit, Nik Mavromaras. Nuk ka asgjë zyrtare, por i janë ofruar 5 milionë euro neto në sezon për 5 vite. Një ofertë e kënaqshme duke menduar që Turam, i cili është lojtar i rëndësishëm dhe titullar ka një rrogë 6 milionë euro. Për këtë arsye nuk mundet që oferta për kanadezin të jetë më e lartë. Në rast se klubi do të dështojë për David, atëherë do të hidhet në sulm për Santiago Kastron. Edhe ky një profil që iu përshtatet shumë zikaltërve dhe po e ndjekin me vëmendje prej kohësh.
LUIS HENRIKE- Interi nuk është duke menduar vetëm për sulmin, por edhe për mbrojtjen. Sipas lajmeve nga Italia, duket se zikaltrit kanë bërë hapa përpara për Luis Henriken. Janë duke studiuar planin për të bërë ofertën e duhur drejt Marsejës në mënyrë që të transferojnë brazilianin.Lojtari i lindur në vitin 2001 në këtë sezon ka shkëlqyer nën udhëheqjen e Roberto De Zerbit dhe ka tërhequr vëmendjen e shumë klubeve mes tyre, Interit dhe Bajernit. Enrike do të ishte goditja e duhur për Simone Inzagin për repartin e anësorëve. Ai do të ishte një zëvendësues i duhur për Dumfris dhe Dimarkon, pasi mund të luajë në të dy krahët. Megjithatë, një lëvizje e tillë do të spostonte përfundimisht Darmianin në linjën e treshes së mbrojtjes.