Galatasaray po i lutet të qëndrojë – Osimhen lëshon njoftim për të ardhmen e tij

- Bota Sot

Galatasaray po i lutet të qëndrojë – Osimhen lëshon njoftim për të ardhmen e tij

Victor Osimhen ka lëshuar një njoftim për të ardhmen e tij teksa Galatasaray mbetet e vendosur që të mbajë shërbimet e sulmuesit. 

Osimhen i cili iu bashkua Galatasarayt verën e kaluar në formë huazimi nga Napoli, ka shijuar një sezon fantastik në Turqi, teksa ka arritur të realizojë 29 gola në të gjitha garat, duke përfshirë 21 në Superligën e Turqisë. 

Forma fantastike e nigerianit ka bërë që ai të tërheq interesim nga disa klube të mëdha evropiane, duke përfshirë gjigantët anglezë si Manchester United, Chelsea dhe Arsenali. 

Mes thashethemeve për klubin e tij të radhës, 26-vjeçari ka dhënë një përditësim për të ardhmen e tij. 

“Ne do të marrim një vendim së shpejti. Do të vendoset ajo që është më e mira për ju. Galatasaray do të jetë gjithmonë në zemrën time”. 

“Sot ishte një ditë e paharrueshme, me titullin tonë të 25-të dhe yllin tonë të pestë”, ka thënë Osimhen. 

Teksa shumë persona i konsideruan këto fjalë të Osimhen si një lamtumirë, të njëjtin mendim nuk e ka edhe zëvendëspresidenti i klubit, Ibrahim Hatipoplu. 

“Fjalët e tij nuk do të thonë se ai po largohet. Ai ka thënë se edhe nëse do të largohej në skenarin më të keq, Galatasaray do të ishte gjithmonë në zemrën e tij”. 

“Por ai nuk ka thënë se do të largohet. Ne duam që ai të qëndrojë me ne”, ka thënë Hatipoplu. 

Osimhen është lidhur me një kalim tek Barcelona ose Juventusi në verë, ani pse lojtari raportohet se ka refuzuar një kalim tek ‘Bianconerët’ pasi ëndërron transferimin në Angli.



Read it all at Bota Sot