Ancelotti: Sezon i ndërlikuar

- Bota Sot

Ancelotti: Sezon i ndërlikuar

Carlo Ancelottit doli në konferencën për shtyp përpara ndeshjes kundër Getafes dhe në prag të finales së Kupës së Mbretit, duke pranuar presionin e shtuar në maksimum, sepse tashmë “korren” frytet e punës së një sezoni të tërë.

Për Getafen: “E dimë të gjithë si luan Getafe, futboll intensiv dhe shumë të organizuar. Një skuadër e fortë me ide shumë të qarta. Jemi të përgatitur, sepse sa më shumë i afrohemi fundit të sezonit, aq më të rëndësishme bëhen ndeshjet për të gjitha ekipet”.

Për “4 fantastikët” dhe problemet këtë sezon: “Problemet janë të qarta: kemi humbur dy lojtarë kyç në mbrojtje, të cilët ka qenë e vështirë t’i zëvendësojmë. E kemi ndryshuar mënyrën e lojës për të përfshirë lojtarë me karakteristika të ndryshme, por kemi vuajtur për të gjetur ekuilibrin. Shpresoj ta gjejmë tani. Pa të, do të jetë e vështirë të fitojmë”.

Për Mbappé dhe Mendy: “Nuk janë gati për këtë ndeshje, por do stërviten dhe besoj se do jenë në dispozicion për ndeshjen e së shtunës”.

Për rotacionet: “Formacioni do të bazohet vetëm në paraqitjen e së dielës. Disa lojtarë janë ende pak të lodhur, por kjo është normale”.

Nëse fiton diçka, a do të largohet: “Në futboll gjithçka është e mundur. Çdo gjë mund të ndodhë”.

A dëshiron të qëndrojë për një ‘hakmarrje’: “Sinqerisht nuk kam asgjë kundër askujt. E dua këtë pankinë. Shpresoj të qëndroj sa më gjatë. Kur të mbarojë, do të jem mirënjohës dhe do të përulem para këtij klubi”.

Për bisedën me Mbappé pas fishkëllimave ndaj tij: “Ai është i lënduar, ndaj nuk mund ta ndihmojë skuadrën. Do të bëjë gjithçka për të qenë i gatshëm të shtunën”.

Më shumë minuta për Endrick: “Asgjë nuk duhet të ndryshojë. Ai po përparon shumë dhe tani ka një rol më të rëndësishëm. Në disa ndeshje na nevojiten fuqia dhe cilësia e tij”.

Fitimi i Kupës, a ndihmon për kampionatin: “Nëse duam t’i fitojmë të dyja, duhet të mposhtim Barcelonën. Kjo është e qartë. Pastaj duhet të dalim më të fortë dhe të fokusohemi te finalja. Besojmë se mund t’ia dalim, por duhet të ndryshojmë diçka”.

Vetë duket i qetë: “Klubi e di që ky ka qenë një sezon më i ndërlikuar. Pengesat e përballojmë bashkë. Jam shumë i lumtur, shumë i kënaqur. Stresi? Është karburant për mua, më jep më shumë energji. Kur zgjohem në mëngjes, gjithçka është në rregull”.

A do të ishte më i ashpër në gusht, po të rikthehej pas: “Nuk jam i atij tipi. Më pëlqen të ndërtoj marrëdhënie ndryshe. Jam zemëruar shpesh këtë sezon, por gjithmonë me respekt. Nuk jam rritur me ‘kamxhik’, nuk di ta përdor dhe nuk mendoj se është rruga e duhur”.

A po mendon për merkaton e verës: “Nuk mendojmë për blerje gjatë sezonit. Klubi merret me to në fund të sezonit”.

A e priste këtë numër problemesh në fillim të sezonit: “Duhet të marr përgjegjësi për disa gabime, por këto janë analiza për në fund të sezonit. Shpresoj të mos kenë më rëndësi atëherë”.

‘Outsider’ kundër Barçës: “Nuk më pëlqen shumë të jem i tillë, por kështu është. Katalanasit duken më të mirë se ne, por një finale është gjithmonë e paparashikueshme. Të na quajnë ‘outsider’ më duket e tepruar”.



Read it all at Bota Sot