Tre lojtarë të Barcelonës kundër Flick

- Bota Sot

Tre lojtarë të Barcelonës kundër Flick

Barcelona fitoi me vështirësi 4-3 ndaj Celta Vigos në një ndeshje të zjarrtë të La Liga-s, duke ruajtur kreun e klasifikimit.

Por përveç dëmtimit të Lewandowskit, ka pasur edhe një shpërthim tensioni në dhomat e zhveshjes.

Sipas gazetës katalanase “Sport”, tre lojtarë – Ferrán Torres, Ansu Fati dhe Héctor Fort – janë shprehur të pakënaqur publikisht me vendimet e trajnerit Hansi Flick, duke e bërë menaxhimin e grupit shumë të vështirë në këtë moment vendimtar të sezonit, pak ditë para gjysmëfinales së Champions-it kundër Interit.

Ansu Fati u zemërua pasi qëndroi gjatë gjithë pjesës së dytë duke u nxehur, por nuk u aktivizua. Ai goditi një frigorifer dhe hodhi jelekun në tokë, përpara stafit teknik.

Héctor Fort refuzoi ta përshëndeste Flick pas ndeshjes dhe nuk donte të kishte kontakt me të. Trajneri u përpoq ta qetësonte duke i thënë diçka në vesh.

Ferrán Torres, i zëvendësuar gjatë lojës, nuk përshëndeti trajnerin dhe goditi një top në shenjë nervozizmi, duke shmangur edhe ndihmësin Marcus Sorg.

Pavarësisht tensioneve, theksohet se këto reagime lidhen më shumë me dëshirën për të luajtur dhe për të qenë protagonistë, sesa me një rebelim të vërtetë kundër trajnerit. Vetë Flick, i pyetur për futbollistët e pakënaqur, u shpreh prerë: “E kuptoj që lojtarët nuk janë të kënaqur dhe ndihen të palumtur kur nuk luajnë.

Kam qenë vetë futbollist profesionist dhe i kuptoj. Të gjithë duan të tregojnë që mund të japin kontribut dhe të jenë pjesë e ekipit. E kuptoj këtë, por nuk e kuptoj reagimin. Është një situatë që duhet ta pranosh.

Bëmë një përmbysje të madhe ndaj Celta Vigos, pasi ishim në disavantazh. Dhe morëm vendimet e duhura. Duam të shohim reagim të mirë nga lojtarët, jo atë që ndodhi pas ndeshjes së fundit. Të gjithë duhet ta festojnë fitoren. Më pëlqen të shoh reagimin e futbollistëve kur luajnë”.



Read it all at Bota Sot