Chelsea nuk ndalet në përpjekjet për të përforcuar repartin ofensiv, dhe së fundmi ka hedhur sytë nga Serhou Guirassy, sulmuesi i Borussia Dortmund.
Sipas “Fichajes.net”, klubi londinez ka nisur bisedimet për transferimin e sulmuesit 29-vjeçar, i cili ka shkëlqyer këtë sezon.
Guirassy ka pasur një performancë mbresëlënëse, veçanërisht në Ligën e Kampionëve, ku ka realizuar 13 gola dhe ka dhuruar 5 asistime në vetëm 14 paraqitje.
Në total, ai ka shënuar 29 gola dhe ka regjistruar 8 asistime në të gjitha kompeticionet, duke u bërë një nga emrat më të përfolur në merkato.
Transferimi i tij mund të kushtojë rreth 70 milionë euro, një shumë që tregon seriozitetin e interesimit të Chelsea-t.
Deri tani, “Blutë” janë mbështetur kryesisht te Cole Palmer dhe Nicolas Jackson, por kërkojnë një sulmues me instinkt të lindur goli dhe përvojë ndërkombëtare. Guirassy, në kulmin e karrierës, shihet si profili ideal për të përforcuar sulmin dhe për të bërë hapin drejt Premier League.