Real Madridi ka reaguar sërish pas situatës që u krijua në raport me gjyqtarët në prag të finales së Copa del Rey ndaj Barcelonës.
Klubi mbretëror tha se skuadra e tyre nuk e ka menduar asnjëherë mosparaqitjen në finalen e nesërme ashtu siç u raportua në media.
“Klubi ynë e kupton se deklaratat fatkeqe dhe të papërshtatshme të gjyqtarëve të caktuar për këtë ndeshje, të bëra 24 orë para finales, nuk mund të njollosin një ngjarje sportive me rëndësi globale që do të ndiqet nga qindra miliona njerëz dhe për respekt për të gjithë tifozët që planifikojnë të udhëtojnë në Sevilla, dhe të gjithë ata që janë tashmë në qytetin andaluzian”, thuhet në reagimin e klubit.
Tutje, Reali tha se beson që vlerat e futbollit duhet të mbizotërojnë, pavarësisht armiqësive që sipas tyre janë shfaqur edhe një herë ndaj klubit sot nga gjyqtarët e caktuar për finalen që do të luhet nesër.
Reali gjatë ditës ka anuluar të gjitha aktivitetet e parapara për sot në prag të El Clasicos, përfshirë fotografitë e të dy trajnerëve dhe seancën e sotme stërvitore.