Allegri humb përfundimisht betejën ligjore kundër ish-partneres

- Bota Sot

Allegri humb përfundimisht betejën ligjore kundër ish-partneres

Pas katër vitesh përplasjeje ligjore, Massimiliano Allegri nuk ka arritur të marrë asnjë fitore në gjykatë ndaj ish-partneres së tij, Claudia Ughi.

Ish-trajneri i Milanit dhe Juventusit e kishte paditur atë në vitin 2021, duke e akuzuar për përvetësim të padrejtë dhe shkelje të detyrimeve familjare, në lidhje me përdorimin e shumave të dhëna për ushqimin e djalit të tyre të përbashkët.

Sipas Allegrit, Ughi kishte përdorur në mënyrë të papërshtatshme paratë që ai i transferonte për mirëqenien e djalit.

Por drejtësia italiane nuk i ka dhënë të drejtë trajnerit 57-vjeçar.

Ughi u shpall e pafajshme në dy shkallët e para të gjykimit – fillimisht nga gjyqtari hetues (GUP) dhe më pas nga Gjykata e Apelit në vitin 2024.

Përkundër këtyre vendimeve, Allegri vendosi ta çonte çështjen në Gjykatën e Lartë, e cila, siç shkruan ‘La Stampa’, e rrëzoi padinë pa asnjë mëdyshje, duke e mbyllur përfundimisht këtë proces.

Për Massimiliano Allegrin, ky është jo vetëm një dështim ligjor, por edhe një goditje morale, ndërsa vazhdon të jetë në pritje për tu rikthyer në pankinë.

Nuk do të ketë as dëmshpërblim, as ndryshim vendimi – vetëm një kapitull i mbyllur në mënyrë përfundimtare.



Read it all at Bota Sot