Hansi Flick ka pranuar se Barcelona duhet të përmirësojë mbrojtjen e saj nëse dëshiron të mposhtë Interin javën e ardhshme dhe të arrijë në finalen e Ligës së Kampionëve.
Barcelona pësoi dy gola nga goditjet standarde në ndeshjen kundër Interit, me ndeshjen që përfundoi në barazim 3-3.
Pas ndeshjes ka folur trajneri gjerman, Flick, i cili ka vlerësuar paraqitjen e ekipit të tij dhe kundërshtarit, teksa ka treguar edhe çfarë duhet të përmirësojnë.
“Performanca jonë me topin ishte e jashtëzakonshme. Stili që treguam në gjysmëfinalen e Ligës së Kampionëve ishte i pabesueshëm. Ata janë një nga ekipet më të mira nga goditjet standarde”, ka thënë fillimisht Flick pas ndeshjes.
“Ata janë një ekip me lojtarë të gjatë, por ne duhet t’i mbrojmë më mirë. Situata është e njëjtë si para ndeshjes kundër Atletico Madrid. Një finale para një finaleje”.
“Çdo ekip ka pikat e veta të forta dhe ne e dinim këtë sepse kishim folur për këtë. Ata janë një ekip i mirë në goditjet standarde; kanë shumë përvojë. Dhe janë një ekip i gjatë. Më kanë impresionuar, por do të kemi shanset tona të martën e ardhshme”, përfundoi trajneri gjerman.
Ndryshe, gjithçka do të vendoset në San Siro të martën, më 6 maj, dhe për shkak se rregulli i golave të shënuar jashtë fushe nuk vlen më, në Milano “fituesi i merr të gjitha”.