Optimizëm e besim para finales me bardheblutë

- Bota Sot

Optimizëm e besim para finales me bardheblutë

Skuadra pogradecare e drejtuar nga trajneri Ardian Mema dhe stafi i tij janë fokusuar vetëm te finalja e së dielës me Tiranën, ku vendoset edhe realizimi i ëndrrës për ngjitjen në Superiore.

Pas festës së fitores me Besën, liqenorët kanë ndryshuar strategji, duke i shmangur prononcimet mediatike dhe postimet euforike në rrjetet sociale.Kështu që lojtarët e kanë fokusin vetëm te përgatitjet në terren, si dhe tek analiza tekniko-taktike për kundërshtarin.

Skuadra po e përgatit finalen me Tiranën në fushën e stadiumit dhe në kushte komode.

Optimizmi dhe besimi në radhët e pogradecarëve është i lartë, pasi kanë vetëm 90 minuta larg realizimit të ëndrrës. Përballja me Tiranën do të luhet të dielën, ora 18:00, në stadiumin “Elbasan Arena”.

Ky impiant u solli fat liqenorëve ndaj Besës dhe shpresohet që këtë fat ta kenë edhe me bardheblutë.

Mbështetja e tifozëve pogradecarë në këtë takim pritet të jetë më i madh se me Besën, pasi e tillë është rëndësia. Klubi ka nisur organizimin e tifozëve, të cilët kanë të garantuar udhëtimin falas drejt Elbasanit, si edhe hyrja e lirë në stadium. 

Tani gjithçka është në dorë të të besuarve të trajnerit Ardian Mema, për të vijuar marshimin drejt elitës.



Read it all at Bota Sot