Gati është Jorge Jesus

- Bota Sot

Gati është Jorge Jesus

Rreth 13 muaj nga fillimi i Kupës së Botës 2026, që do të zhvillohet në SHBA, Kanada dhe Meksikë, dhe pak më shumë se një muaj nga ndeshja kualifikuese në Ekuador, kombëtarja e Brazilit ende nuk ka një trajner zyrtar. Federata Braziliane e Futbollit (CBF), nën drejtimin e presidentit Ednaldo Rodrigues, vazhdon të hezitojë mes objektivit kryesor Carlo Ancelotti dhe alternativave Jorge Jesus e Abel Ferreira.

Trajneri i Real Madridit ka qenë gjithmonë zgjedhja e preferuar. Me një CV mbresëlënëse dhe respekt të madh nga presidenti i CBF, “Carletto” kishte arritur një marrëveshje thuajse totale me 5 herë kampionët e botës, por ndërhyrja e Real Madridit duket se ka frenuar gjithçka.

Me kontratë deri në vitin 2026 dhe synimin për të fituar Kupën e Botës për Klube, Ancelotti tani duket më i destinuar të qëndrojë në Spanjë. Megjithatë, sipas mediave braziliane dhe gazetës portugeze “Record”, CBF ende nuk e ka hequr dorë plotësisht nga italiani, shpreson që dështimi eventual edhe në La Liga të rihapë derën për “Carletto”.

Jorge Jesus i liruar së fundmi nga Al-Hilal, është një opsion më i lehtë për t’u arritur. Ai e ka pritur mundësinë për të marrë drejtimin e Brazilit dhe gëzon mbështetje të madhe në opinionin publik brazilian, falë suksesit me Flamengon në vitet 2019-2020. Portugezi e njeh mirë realitetin e futbollit brazilian, përfshirë situatën e ndërlikuar të Neymarit, një nga pengesat kryesore për emërimin e tij.

Jesus ka pasur komente të ashpra ndaj yllit brazilian, duke thënë se Neymar nuk është më në gjendje fizike për të përballuar një kampionat të ashpër si ai saudit, pas dëmtimeve të njëpasnjëshme që e kanë ndjekur. Ai ishte larguar nga Al-Hilal pikërisht para se Neymar të transferohej në huazim te Santosi.

Këto deklarata nuk janë pritur mirë nga Neymar dhe njerëzit përreth, përfshirë babanë e tij, që sipas raportimeve i ka sugjeruar CBF-së emrat e agjentëve që ishin pranë finalizimit të marrëveshjes me Ancelottin, javën e kaluar në Londër.

Brazili, pra, vazhdon të kërkojë njeriun e duhur për stolin, me një sfond plot tensione dhe me emrin e Carlo Ancelottit që ende mbetet “gjallë” në horizont.



Read it all at Bota Sot