Studentët që nga nëntori janë në bllokadë të fakulteteve në Serbi, duke kërkuar përgjegjësi për tragjedinë në Novi Sad, tani kërkojnë shpërndarjen e Kuvendit dhe shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme. Në deklaratën e tyre, këtë e quajnë një moment vendimtar për demokracinë, duke theksuar se duan institucione që u shërbejnë qytetarëve, jo pushtetit. Kërkesa e tyre mori menjëherë mbështetjen e disa partive opozitare.
“Studentët kanë treguar qartë se ky regjim nuk është në gjendje t’i përmbushë kërkesat e tyre. Ndryshimi i pushtetit është e vetmja rrugë për institucione në shërbim të qytetarëve”, tha Biljana Gjorgjeviq, nga Fronti i Gjelbër dhe i Majtë
Pushteti, megjithatë, tani refuzon çdo ide për zgjedhje të parakohshme, ndonëse në të kaluarën i ka ofruar shpesh opozitës. Kryetari i Partisë përparimtare dhe ish-kryeministër, Milosh Vuçeviq, deklaroi se zgjedhjet do të ishin "katastrofë për vendin", ndërsa ministri i brendshëm Ivica Daçiq, deklaroi se “nuk ka arsye” për zgjedhje të reja. Por, një pjesë e publikut mendon se kërkesat e studentëve janë një pikë kthese.
“Kërkesa e studentëve për zgjedhje shkaktoi një tërmet politik. Sot, ata janë forca më e fuqishme politike në Serbi. Vuçiq nuk është më ai që përcakton rrjedhën politike – këtë tashmë e bëjnë studentët, që kanë fituar besimin e qytetarëve”, tha Smilan Banjac, gazetar dhe aktivist.
Protestat që nisën si reagim ndaj një tragjedie, janë shndërruar në sfidën më të fortë ndaj pushtetit autokrat të Aleksandar Vuçiqit. Studentët thonë se nuk do të kandidojnë, por do të mbështesin individë të ndershëm që përfaqësojnë interesin publik.