Legjenda e Spartakut të Moskës vlerëson sulmuesin nga Kosova

- Bota Sot

Legjenda e Spartakut të Moskës vlerëson sulmuesin nga Kosova

Ish-futbollisti i kombëtares së Rusisë dhe legjenda e Spartakut të Moskës, Aleksandër Mostovoi, ka vlerësuar sulmuesin shqiptar, Mirlind Daku, duke thënë se ai do t’i shërbente çdo klubi të madh të Moskës.

Në një intervistë për “RB Sport”, Mostovoi u shpreh se Daku ka profilin dhe cilësitë për të qenë i suksesshëm te CSKA, Spartak, Dinamo apo Lokomotiva, klube këto të cilat janë të vendosura në Moskë.

27-vjeçari aktualisht luan për Rubin Kazanin, dhe gjatë merkatos së janarit pati interes nga Spartaku dhe Lokomotiva, por ai vendosi të qëndrojë në Kazan deri në fund të sezonit.

“Zeniti me shumë gjasa nuk do të interesohet për Dakun këtë verë, sepse ka një sulm të kompletuar. Te Krasnodari, Kordoba është më i fortë se Mirlindi, kështu që as ai nuk është opsion. Vetë Daku nuk do të dëshironte të ulej në stol nëse merret, duhet të jetë si titullar”, u shpreh Mostovoi fillimisht.

NË MOSKË Edhe pse Rubini mund të jetë një ambient i përshtatshëm për të, Mostovoi mendon se një hap drejt një klubi më të madh në Moskë do të ishte i dobishëm për Mirlind Dakun, duke parë potencialin e tij. Ja se çfarë thotë ish-mesfushori me tipare sulmuese: “Nëse CSKA, Spartaku, Dinamo apo Lokomotiva e duan me të vërtetë, Daku duhet të shkojë atje”, përfundoi ish-lojtari i Spartakut, Benfikës dhe Selta Vigos.

KOMBËTARJA Daku mungoi në grumbullimin e fundit të Kombëtares shqiptare në muajin mars dhe pritet të shihet nëse ai do të përzgjidhet nga Silvinjo për dy ndeshjet e qershorit, të cilat janë shumë të rëndësishme për Shqipërinë.

Përveç mospërfshirjes, e cila ishte një “mesazh” për sulmuesin, Daku ka edhe një problem tjetër që e shqetëson që prej muajit nëntor. 27-vjeçari vijon të luajë me injeksione dhe diçka të tillë e ka shprehur edhe vetë, ndërsa në dijeni është edhe Silvinjo për situatën e tij.

Pavarësisht se ai shtrëngon dhëmbët në çdo ndeshje, një situatë e tillë nuk mund të vijojë edhe më shumë kohë, pasi ai duhet t’i nënshtrohet një ndërhyrje të lehtë, si rasti i Mario Mitajt.



Read it all at Bota Sot