Trajneri i Mançester Junajtidit, Ruben Amorim, ua ka hedhur fajin lojtarëve të tij për sezonin dëshpërues të klubit. “Djajtë e Kuq” po i afrohen fundit të sezonit të tyre më të keq në historinë e Premier Ligës, me klubin që renditet në kufirin e pozicioneve që bien nga kategoria.
Amorim mori drejtimin e ekipit pas shkarkimit të Erik ten Hagut në tetor, por nuk ka arritur t’i ndryshojë gjërat në kampionat, duke arritur vetëm gjashtë fitore në 25 ndeshje në Premier Ligë, madje duke arritur rezultate më të dobëta se ish-trajneri holandez. “Më vjen turp që në 25 ndeshje kemi fituar gjashtë”, tha Amorim për “Sky Sports”.
“Diçka nuk shkon me mënyrën se si po luajmë futboll. Ndonjëherë nuk ka të bëjë me mënyrën se si luajmë taktikisht, por me mënyrën se si përballemi me konkurrencën dhe vuajmë. Unë kam një pamje dhe një mendim të qartë se çfarë i duhet këtij ekipi për t’u bërë shumë më i mirë. Nuk është vetëm në fushë, është edhe jashtë saj. Ne i kemi të gjitha kushtet për të qenë më të mirë”, shtoi trajneri portugez.
“Ka disa gjëra që nuk mund t’i ndryshojmë gjatë verës, ajo ndjenja se nuk mund të humbasim një ndeshje. Duhet ta ndryshojmë këtë dhe të mos mendojmë për transferimet. Kjo është më e rëndësishme sesa ndryshimi i njerëzve. Ne po e bëjmë këtë, por njerëzit nuk mund ta shohin këtë”, shtoi ish-trajneri i Sportingut të Lisbonës.
Mbrojtësi Herri Meguajër pajtohet me trajnerin e tij se ky ka qenë një sezon shumë i vështirë për një klub me përmasat e Mançester Junajtidit. “Ka qenë shumë e vështirë në Premier Ligë, nuk mund t’i fshihemi kësaj”, tha Meguajër. “Nuk ka qenë aspak aq mirë sa duhet për këtë klub”.