Ashtu si jeta, edhe futbolli është çështje zgjedhjesh dhe vendimesh dhe është thelbësore kur ato merren.
Interi, në ndeshjen kundër Lacios, e pati në dorë kalimin përpara Napolit dhe ndoshta edhe titullin kampion… për vetëm 20 sekonda.
Siç është zbuluar nga një kamerë speciale e DAZN, Simone Inzagi kishte thirrur zëvendësimin e Jan Bisekut 20 sekonda përpara sesa gjermani të shkaktonte faullin me dorë që solli penalltinë, me të cilën Lacio barazoi rezultatin në 2- 2. Një rezultat që në fakt ndali zikaltrit nga ëndrra e madhe për të parakaluar Napolin dhe për të marrë kreun vetëm një javë nga fundi i Serisë A.
“Stefan, bëhu gati për Bisek”, ishte mesazhi që trajneri i dha de mbrojtësit holandez, pikërisht në çastet kur Pedro dhe shokët e tij po përgatitnin aksionin, që më vonë do të sillte penalltinë, e konfirmuar me VAR në fushë. Çështje sekondash, që në fakt mund të rezultonin vendimtare për fatin e titullit kampion.
Falë kamerës anës fushës, janë zbuluar edhe reagimet e pankinave në momentin e kontrollit nga VAR-i. Analisti taktik i Interit, Mario Çeki, argumenton se nuk ka faull, ndërsa Mateo Darmian sugjeron të shtyhen zëvendësimet. Inzagi duket shumë i tensionuar dhe bën me gjeste që krahu i Bisekut është ngjitur pas trupit, një gjest identik që më pas e përsërit edhe Marko Arnautoviç. Kur arbitri Kifi thirret për të parë pamjet në monitor, Inzagi shpërthen duke thënë: “Unë po iki, eh”. Në atë moment, trajneri i Lacios, Baroni, humb durimin dhe ashtu si trajneri i Interit përjashtohet nga fusha.