Real Madrid ka zyrtarizuar ndarjen me trajnerin legjendar Carlo Ancelotti. Në një komunikatë të publikuar këtë të premte, klubi madrilen ka shprehur mirënjohjen dhe dashurinë për një nga figurat më të mëdha në historinë e “Los Blancos” dhe futbollit botëror.
“Klubi ynë dëshiron të shprehë mirënjohjen dhe dashurinë për një nga legjendat më të mëdha të Real Madridit dhe të futbollit botëror”, thuhet në deklaratën zyrtare të Real Madridit.
Presidenti Florentino Pérez vlerësoi maksimalisht trajnerin italian:“Carlo Ancelotti është tashmë pjesë e pandarë e familjes së madhe të Real Madridit.
Jemi krenarë që kemi pasur një trajner që na ndihmoi të arrijmë kaq shumë suksese dhe që ka përfaqësuar në mënyrë shembullore vlerat e klubit tonë”.
Nesër, Santiago Bernabéu do t’i bëjë një homazh të veçantë Ancelottit, në atë që do të jetë ndeshja e fundit e tij në pankinën e Real Madridit. Një epokë e artë mbyllet për klubin më të madh në histori.