Nëse kishte hije dyshimi për ato fjalë që ish-trajneri i Vllaznisë, Thomas Brdariç tha për të ardhmen e Bekim Balajt, duket se ato nuk ekzistojnë aspak për shkodranin.Në fundin e kampionatit u hipotetizua se ky mund të ishte edicioni i fundit si profesionist për 34- vjeçarin, por diçka e tillë as që mendohet nga ana e ish-sulmuesit të Kombëtares.
Shtatlarti ka shprehur gatishmërinë 100% për edicionin e ri nën urdhërat tashmë të Edi Martinit.
Me Vllazninë e “re” që do të ndërtohet rreth kapitenit të skuadrës, ashtu siç ka qenë në dy sezonet e fundit, ku Balaj ka qenë jo vetëm futbollisti më i spikatur në radhët e kuqebluve, por edhe një ndër më të spikaturit në Superioren e futbollit.
Ish-sulmuesi edhe i Tiranës ka ende edhe një vit të ngelur në kontratën e tij me 9 herë kampionët e vendit, marrëveshje të cilën ai do ta respektojë me rigorozitet deri në fundin e saj.
Balaj vlerësohet jo vetëm për atë çfarë jep në fushë te Vllaznia, por edhe atë çfarë pasqyron tek të tjerët edhe jashtë fushës së blertë, duke qenë me të vërtetë një lider dhe kapiten për të gjithë.
Në dy sezonet e fundit në Superiore ai ka arritur të fitojë dy herë “Këpucën e Artë”, si golashënuesi më i mirë. Kjo në edicionin 2023- 24 me 17 gola dhe atë 2024-25 me 19 gola të shënuar.