Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, ka uruar publikisht Igli Taren për emërimin e tij si Drejtor Sportiv i klubit italian të Milanit, duke e cilësuar këtë si një arritje të rëndësishme për futbollin shqiptar dhe një sfidë të re për Taren në një nga klubet më legjendare të Evropës.
“Urime Igli! Emërimi yt si Drejtor Sportiv i klubit të Milanit, është një arritje vërtetë e rëndësishme,” shkruan Duka në një postim në rrjetet sociale.
Ai shprehet i bindur se profesionalizmi, përkushtimi dhe vizioni i Tares do ta ndihmojnë Milanin të rikthehet në nivelet më të larta, duke kujtuar sukseset e tij të mëparshme në ndërtimin e një projekti të qëndrueshëm me Lazion.
“Tani të pret një tjetër sfidë e madhe, por jam i bindur se do t’ia dalësh edhe këtë herë, me të njëjtën maturi dhe pasion për lojën,” përfundon Duka, duke theksuar besimin e tij të plotë në suksesin e Tares në këtë detyrë të re.
Njoftimi zyrtar për emërimin e Igli Tares si Drejtor Sportiv i Milanit do të vije tek javën tjetër, teksa mediumet italiane bëjnë me dije se Tare ka nënshkruar kontratë trivjeçare me klubin nga Qyteti i Modës.