Ashtu si shumë prej shokëve të tij të skuadrës, edhe Kylian Mbappe ka bërë një homazh emocionues për Luka Modrić-in, i cili ka njoftuar largimin nga Real Madridi pas 13 vitesh dhe 28 trofesh të fituar, mes tyre 6 tituj të Ligës së Kampionëve.
Ndeshja e fundit e kroatit në “Santiago Bernabéu” do të jetë të shtunën kundër Real Sociedad-it, një moment që pritet të jetë shumë emocional për të gjithë tifozët madrilenë.
‘Ylli’ francez, i cili ka ndarë dhomën e zhveshjes me Modrić-in gjatë këtij sezoni, ka shprehur admirimin e tij në një postim në Instagram:
“Pata fatin të ndaj dhomën e zhveshjes me ty këtë sezon. Nga afër kuptova çfarë do të thotë madhështia.
Para se të jesh një nga lojtarët më të mirë të të gjitha kohërave, je një njeri i mrekullueshëm.”
“Ke shkruar historinë e klubit më të madh në botë për më shumë se një dekadë dhe ke fituar gjithçka.
Por, mbi të gjitha, ke fituar diçka të paçmueshme: respektin dhe admirimin e gjithë botës. Faleminderit për gjithçka, legjendë!”
Një mesazh plot emocion dhe respekt, që e përforcon edhe më shumë statusin e Luka Modrić-it si një nga figurat më të dashura dhe të respektuara në historinë e futbollit modern.