Finalja e madhe po vjen

- Bota Sot

Finalja e madhe po vjen

Në finalen e Champions League, që do të luhet të shtunën në Mynih, do të ketë një italian që do të bëjë gjithçka për të mos e lejuar Interin të fitojë trofeun më të lakmuar. Fjala është për Gianluigi Donnarumma, lider i kombëtares së Luciano Spallettit, kampion i Europës dhe një nga pikat kyçe të PSG-së së Luis Enrique.

“Do të jetë një finale e bukur, – shpjegon përmes gazetës “Tuttosport” agjenti i ish-portierit të Milanit, Enzo Raiola. – Edhe pse me rrugë të ndryshme, të dyja skuadrat e merituan të mbërrinin deri në fund. Interi e nisi menjëherë shumë mirë këtë edicion të Champions League, ndërsa për PSG-në ishte një rrugëtim më i vështirë, duke parë rezultatet në fillim. Në çerekfinale dhe gjysmëfinale, parizienët treguan diçka më shumë se rivalët”.

I pyetur më pas për çështjet që lidhen me rinovimin e kontratës me klubin parizien dhe të ardhmen e Donnarumma në përgjithësi, Raiola sqaroi:

Për rinovimin kemi vendosur ta shtyjmë gjithçka, ndoshta edhe për pak supersticion, duke parë numrin e madh të ndeshjeve. Nuk kemi asnjë nxitim, marrëdhëniet me klubin janë të mira, Gigio ndjehet mirë në Paris dhe kontrata i skadon në vitin 2026.

Zërat për Interin? Është kënaqësi kur emri i Gigio përmendet nga klube të rëndësishme, por dua të sqaroj se nga personat e përfshirë nuk ka asnjë kontakt.

Gigio është i lumtur te PSG. Natyrisht, nëse nuk do të arrijmë një marrëveshje, do të vlerësojmë mundësi të tjera, pa përjashtuar asgjë. Do të jetë thelbësor projekti që do t’i ofrohet”.



Read it all at Bota Sot