Në finalen e Champions League, që do të luhet të shtunën në Mynih, do të ketë një italian që do të bëjë gjithçka për të mos e lejuar Interin të fitojë trofeun më të lakmuar. Fjala është për Gianluigi Donnarumma, lider i kombëtares së Luciano Spallettit, kampion i Europës dhe një nga pikat kyçe të PSG-së së Luis Enrique.
“Do të jetë një finale e bukur, – shpjegon përmes gazetës “Tuttosport” agjenti i ish-portierit të Milanit, Enzo Raiola. – Edhe pse me rrugë të ndryshme, të dyja skuadrat e merituan të mbërrinin deri në fund. Interi e nisi menjëherë shumë mirë këtë edicion të Champions League, ndërsa për PSG-në ishte një rrugëtim më i vështirë, duke parë rezultatet në fillim. Në çerekfinale dhe gjysmëfinale, parizienët treguan diçka më shumë se rivalët”.
I pyetur më pas për çështjet që lidhen me rinovimin e kontratës me klubin parizien dhe të ardhmen e Donnarumma në përgjithësi, Raiola sqaroi:
“Për rinovimin kemi vendosur ta shtyjmë gjithçka, ndoshta edhe për pak supersticion, duke parë numrin e madh të ndeshjeve. Nuk kemi asnjë nxitim, marrëdhëniet me klubin janë të mira, Gigio ndjehet mirë në Paris dhe kontrata i skadon në vitin 2026.
Zërat për Interin? Është kënaqësi kur emri i Gigio përmendet nga klube të rëndësishme, por dua të sqaroj se nga personat e përfshirë nuk ka asnjë kontakt.
Gigio është i lumtur te PSG. Natyrisht, nëse nuk do të arrijmë një marrëveshje, do të vlerësojmë mundësi të tjera, pa përjashtuar asgjë. Do të jetë thelbësor projekti që do t’i ofrohet”.