Pas marrëveshjeve të arritura për Luka Suçiç dhe Luis Henrique (për të cilin është finalizuar akordi me Marsejën), Interi është gati të bëjë goditjen e tretë në merkato, teksa përgatitet për Kupën e Botës për Klube që do të zhvillohet në SHBA në mesin e qershorit.
Objektivi i radhës është Ange-Yoan Bonny, sulmuesi 21-vjeçar francez i Parmës, që ka tërhequr vëmendjen e shumë klubeve të mëdha, përfshirë edhe disa nga Premier League.
Aktualisht, për turneun prestigjioz të FIFA-s, trajneri Simone Inzaghi do të ketë në dispozicion vetëm tre sulmues: Lautaro Martinez, Marcus Thuram dhe Mehdi Taremi.
Kjo për shkak të përfundimit të kontratave të Marko Arnautovic dhe Joaquin Correa, që nuk do të rinovohen. Kjo ka bërë që drejtuesit zikaltër të përshpejtojnë punën për të forcuar skuadrën.
Parma kërkon rreth 20 milionë euro për kartonin e Bonny-t, ndërsa është e hapur për të përfshirë në marrëveshje Pio Espositon, talentin e Interit i cili këtë sezon ka qenë në huazim te Spezia.