Marc-André ter Stegen ka qenë portieri titullar i Barcelonës për një dekadë, por pritet që kjo të ndryshojë duke filluar nga sezoni i ardhshëm. Portieri ndërkombëtar gjerman ka ngjallur dyshime vitet e fundit, dhe pasi ka munguar gjatë pjesës më të madhe të sezonit 2024-25 për shkak të një dëmtimi, tani duket se do të zëvendësohet.
Barcelona është duke ndjekur portierin e Espanyolit, Joan Garcia, dhe shpreson të finalizojë një marrëveshje në javët në vijim. Pritet që ai të marrë vendin e Ter Stegen mes shtyllave, ndërsa Ëojciech Szczesny do të shërbejë si zëvendës pasi të firmosë kontratën e re.
Megjithatë, Ter Stegen nuk ka në plan të largohet nga Barcelona dhe dëshiron të vazhdojë si portieri titullar i klubit për edhe një sezon tjetër. Por situata mund të ndryshojë pas zbardhjes së pikëpamjeve të Hansi Flick.
Sipas “Mundo Deportivo”, stafi teknik i Flick e sheh Joan Garcian si portierin e parë nëse ai transferohet nga Espanyoli këtë verë. Barcelona është e angazhuar fuqishëm ndaj 24-vjeçarit, dhe stafi teknik ndan të njëjtin mendim me bordin dhe drejtuesit sportiv që ai duhet të jetë titullari që nga sezoni i ardhshëm.
Për këtë arsye, shihet si shumë e vështirë që Ter Stegen të luajë nëse mbetet te Barcelona sezonin tjetër.
Sipas stafit të parë teknik, 33-vjeçari duhet të largohet nëse dëshiron të luajë rregullisht përpara Kupës së Botës verën e ardhshme, ku pritet të jetë titullari i Gjermanisë – por vetëm nëse luan.
Gjithnjë e më shumë duket se koha e Ter Stegen te Barcelona po shkon drejt fundit këtë verë. Dhe kjo është koha e duhur, duke marrë parasysh rënien e formës së tij. Klubi do të jetë i interesuar për largimin e tij, për të kursyer pagën e majme dhe për të lehtësuar krizën financiare.