Një gabim i pabesueshëm, por që të bën të qeshësh.
Ish-futbollistja finlandeze Stina Ruuskanen, 51 vjeçe, është përfshirë gabimisht në listën e të ftuarave për ndeshjen e Ligës së Kombeve, e cila u zhvillua të martën kundër Serbisë.
Në momentin e përfshirjes së emrit të saj në listën zyrtare, selektorja Outi Saarinen e gaboi emrin e saj me atë të futbollistes së re, Nanne Ruuskanen, mbrojtëse 23 vjeçe, e cila natyrisht nuk u përfshi në listë më pas, shkruajnë mediat finlandeze.
Federata e Futbollit të Finlandës e lëshoi një deklaratë përmes së cilës i shpjegoi arsyet e mungesës së befasishme të kësaj të fundit.
“Ka të bëjë me një gabim në përfshirje të listës në sistemin UEFA”, deklaroi kjo organizatë.
“Trajnerja Outi Saarinen gabimisht e ka përfshirë një ish-futbolliste me të njëjtin mbiemër, ende prezentë në sistemin e UEFA-s, në vend të Nanne Ruuskanen. Për këtë arsye, Ruuskanen nuk mund të luajë në ndeshjen e së martës kundër Serbisë. Ekipi i konfirmuar në sistemin e UEFA-s nuk mund të modifikohet dhe vajza është informuar me atë që ka ndodhur në ditën e ndeshjes, kur është bërë gabimi”, shtoi Federata finlandeze.
Nanne Ruuskanen, e cila nuk e ka asgjë ish-futbollisten me të njëjtin mbiemër, mori pjesë në ndeshje vetëm si spektatore.
“Nanne ishte qartësisht e zhgënjyer, por e mori lajmin mjaft mirë duke i marrë në konsideratë rrethanat”, deklaroi trajnerja Outi Saarinen në një komunikate të Federatës.
“Më vjen sinqerisht shumë keq për gabimin.”
E pensionuar nga bota e futbollit profesionist në moshën 29 vjeçe, Stina Ruuskanena e mori me plot humor lajmin e ftesës së papritur në Kombëtaren e Finlandës.
“Jam absolutisht e gatshme nëse më thërrasin! Pikërisht dje kam luajtur në një ndeshje të kampionatit amator. Kështu që, kam ndjenja të mira, jam në formë”, tha ajo duke qeshur..