Një ngjarje e rëndë është shënuar sonte në qytetin e Prizrenit, ku një person ka mbetur i vdekur si pasojë e një therjeje me mjet të mprehtë.
Kështu ka mësuar Gazeta Sinjali nga burime e saja, informatë kjo e cila është konfirmuar edhe nga Policia e Prizrenit.
“Sonte, më datë 10.08.2025, rreth orës 21:20, Policia e Kosovës ka pranuar informacion se një person me lëndime është dërguar në emergjencën e Spitalit Rajonal të Prizrenit”.
“Sipas mjekëve, viktima, H.Sh. (mashkull), ishte therur me thikë dhe ndodhej në gjendje të rëndë shëndetësore. Ai është dërguar për trajtim në QKUK – Prishtinë, ku më pas ka ndërruar jetë si pasojë e plagëve të marra“, tha Shaqir Bytyqi, zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prizrenit për Gazetën Sinjali.
“Patrullat policore janë nisur menjëherë në drejtim të fshatit Zhur për identifikimin dhe kapjen e të dyshuarit”.
“Nga informacionet e mbledhura, i dyshuari është identifikuar dhe aktualisht ndodhet në arrati. Njësitë policore janë ende në terren dhe po ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme për kapjen e tij”.
“Për rastin është njoftuar prokurori kujdestar dhe po ndërmerren veprimet ligjore të mëtejme”.