Prof. Ing. Sazan Guri: A do të fitonte populli shqiptar nga Shpiragu?!

- Gazeta Telegraf

Prof. Ing. Sazan Guri: A do të fitonte populli shqiptar nga Shpiragu?!

Prof. Ing. Sazan Guri

Inxhinier projektues në puset e naftës

Çfarë i dhe vendit tënd, sidomos në orën e nevojës së madhe?

Telegraf.al / Vendburimi i Shpirgut që në gjeologjinë shqiptare njihet si vendburimi i Sqepurit mendoj se nuk është, as si na i thanë me ‘’diterambe’’, që nga nëntoka shqiptare do dalin ca dragonj, apo kuçedra me naftë kur zuri dhenë si lajm, por as siç po na i thonë tani, pra, mali polli një mi. Ky vendburim është vepër shqiptare, e cila është përgjithësuar nga projektuesit shqiptar prej një pune jo më pak se 30 vjet studim – kërkime. Por kurrsesi nuk duhet harruar ose lënë në hije puna titanike e Institutit të Naftes e Gazit, Fier në përgjithësi dhe autorëve projektues shqiptarë në veçanti, si Prof. dr. Hazbi Shehu, ing. Milto Gjikopulli, ing. Beg Canaj, ing. Vladimir Veizaj, Prof. dr. Hasan Bakia, Prof. dr. Telo Velaj,  Inxh. Vasil Misha,  Prof. dr. Ali Mema, ing. Ahmet Çollaku, e shumë e shumë të tjerë...që nuk mjafton një faqe libri t’i nxërë emrat e atyre me punë direkte dhe të atyre me disiplinat përkatëse. Ndoshta nuk mendohej nga ekipet shqiptare asokohe, se do të kishim të bënim me një kat naftëmbajtës, jo më pak se 800 – 1000m, sikundër na tha K Mynë, apo që prodhimi ditor të ishte 100,000 barela në ditë, (një barelë mban rreth 160 litra), apo që madhësia apo lartësia e antiklinalit apo malit nëntokësor, që mban naftën të ishte sa shtrirja e malit të Dajtit. Jo vetëm kaq, entusiazmi i KM s’kishte anë e udhë, që për të mbuluar se çfarë kishin thënë si ai dhe ministrja e energjisë më parë për naftën shqiptare që nuk bën këtu thonë se ajo ka cilësinë më të mirë, sepse është e lehtë – jo po ta fusim direkt e në makinë??? Fiksoheni fort të dashur lexues që nafta sa më e rëndë të jetë, aq më mirë, se e rënda nxjerr të lehta, e lehta nuk nxjerr të rënda or të uruar!

Pusi Shpirag, le të themi, ka kushtuar ”1 miliard USD”, dhe sasia që mendohet se do delte prej 80,000 – 100,000 barela, ose prej 14,000 -16,000 ton në ditë, flet për shifra që përmbajnë interesa të mëdha për popullin shqiptar, nëse do të zbatohej parimi, jo thjesht të kesh, por më mirë të dish sesa të kesh. Sepse deri më sot ç’e do që kemi, biles sa më shumë që kemi, aq më të varfër jemi. A nuk është kompania e huaj e Patos Marinzës me kapiten akshën shtet, me bankë një tjetër shtet, me strateg një tjetër dhe me skllevër ca si shqiptarë që vendburimi Patos – Marinzë me potencial kërkimi dhe nxjerrje nafte, me një jetëgjatësi prej më së paku 200 vjetësh, të katandiset për shkak të një shfrytëzimi barbar në gjuhën teknike për aq kohë sa kapiteni, strategu dhe banka ka kontrtatën.

Pamje nga puna përgjithësuese dhe interpretuese e njerit prej grupeve projektues (Inxh. gjeol. Beg Canaj, Inxh. Gjeol. Fatmir Sazhdanaku, inxh. gjeofizik Kristaq Jano,  fizikant Stavri Dhima, inxh. gjeofizik Vladimir Veizaj dhe inxh. gjeol. Sazan Guri) në Institutin e studimeve gjeologo-gjeofizike për naftë e gaz, Fier. (Foto Agatokli Kotini, 1989)

Këta kanë 20 vjet që dalin me humbje që kur ai pjeston shpenzimet me fitimet, ato nuk dalin kurrë baraz dhe pak më i madh se koificienti 1, por gjithmonë 0,999999, se ligji ose marrëveshja e ka – nëse ai fiton një milion euro, por harxhon 1,1 milion euro, ai s’ka çfarë na jep, ndaj dhe s’na ka dhënë kurrë. Nëse ai fiton një milion euro, por harxhon 0.9 milion euro, ai ka çfarë na jep, pra 100 mijë euro (pjesëtim për dy – share përoduction), por kjo s’ndodhur kurrë,  dhe s’na ka dhënë kurrë. Se elbete, një bullon nga 30 euro për të kushtonte 300 euro ose një rrogë shoferi ishte 12,000 euro sipas asaj që u zbulua nga hakerat, etj etj.? Shkurt, a lë Larua të hajë Balua?!

Mesatarisht, harxhimet për shpim janë sa 40,000 barela në ditë, dhe prodhimi ditor fillimisht na u tha se do na jepte afërsisht 60,000 barrela fitim në ditë. Me këtë fitim do të paguhet taksa prej 10% e Royalti-së ose Renta minerare për Shtetin shqiptar, ku thuhet se qenkërka edhe një taksë tjetër prej 10% që merret nga  shteti shqiptar, pra rreth 20%. Kujdes! Se në asnjë vend të Botës nuk ka kontrata, ku shteti që zotëron asetin të ketë në kontratë një përfitim prej 10% si në rastet e vendburimeve Marinëz dhe 20% këtu në Shpirag, siç na thonë, por shteti që zotëron asetin e ndërton kontratën, pa një pa dy, me 51% pronari dhe 49% ai që vjen, investitori, pa pyetur fare se çfarë harxhime kapitale apo operative bën ai. Në Shqipëri, Kompanive të nxjerrjes së naftave shqiptare kanë të dejtën të llogarisin kostot kapitale, kostot operative dhe e nxjerrin vetë fitimin e tyre që është gjithmonë më i vogël se harxhat dhe formula më e ‘’poshtër’’ në botë është 999 mijë euro fitim dhe një milion euro shpenza, pra më e vogël gjithmonë se koificienti 1, pra ai s’fiton dhe ne s’fitojmë ose ai humbet dhe ne humbasim. Në fakt, e ha njeri atë teke që ai delka me humbje dhe rrika 20 vjet, kur Ligja në Kontratë e përmban se atij i njihen 3 vjet humbjet e para, as i jep dhe as i merr dhe më pas nuk diti të bënte fitim për vete dhe për mua shtetin e zotëruesit të asetit – ik udhë e mbarë, tjetri. Vrap vaj via.

Pamje nga studioja, qendër e mendimit e punës, ku gjenerohen ide dhe projekte për fushat e gjeoshkencave, për mjedisin, natyrën dhe kafshët, për mbrojtjet juridike kundër padrejtësive ndaj qytetarëve, për këshillimet dhe këndvështrimet ndaj pushtetit dhe qeverisë, për përgatitjen e leksioneve dhe frymës lektive ndaj studentëve, për qëndrimet e paanshme në media, si dhe qendër bazë për shpalosjen e visareve dhe vlerave të historisë, gjuhës dhe etnokulturës së kombit shqiptar.

Nga ana tjetër, kompanitë e huaja nuk kontrollohen, as nga KLSH-ja e shtetit shqiptar as nga ndonjë audit tjetër?! P.sh kur ishim auditues i jashtëm i KLSH-së, ne kontrolluam AKBN-në dhe gjetëm shkelje sa të duash në Kontratat me Bankersin dhe i kapëm dhe propozuam ndaljen e këtij aktiviteti ‘’gjasme me humbje’’, kur ne si shtet merrnim vetëm taksën minerare. Kësisoj, edhe kompania e Shpiragut, nëse vepron si simotrat e saj në Shqipëri, dy për vete, dy për shpenzimet kapitale, dy për shpenzimet operative, dy për shpenzimet e fryra dhe dy për bashibozukun qeveritar, shpenzime që venë më të mëdha se fitimi, atëhere ne vegjëlia-tikun? Ku ishe asgjëkundi. Mali polli .......? Unë në syrin e një gjeologu me eksperiencë projektuese nuk besoj se vendburimi i Shpiragut mbyllet, siç na u tha për turp e faqezesë se kemi një gjeologji të komplikuar dhe se duhej një teknologji tjetër, kur ekipet shqiptare kanë shpuar 40 vjet më parë puse më të thellë dhe me shtresa me presione anormale herë më të vështira se këto.

Paraqitje skematike e basenit karbonatik të Adriatikut jugor, ku zona e Korfuzit e linjës tektono – strukturore Paksos – Sazan paraqitet me të njëjtat mundësi gjenerimi dhe kurthimi të naftës dhe gazeve kondensat, si ato në zonën gjeologjike Jonike të Shqipërisë, e njohur për naftë e gaz. (Sazan Guri, Spiro Bonjako, etj., Studimi mbi kërkimet e naftës tokë – det në Albanidet e jashtme, v.2002, ArkivaING, Fier).

Ja pse duhej Instituti i Naftës në Fier apo në Tiranë, sepse një inxhinier shqiptar smund të korruptohet kurrë, se nuk e lë zanati. Ky Institut do të thoshte të vërtetën mbi rezervat e nxjerrshme dhe ato prognoze; mbi presionet e shtresës; mbi shpenzimet kapitale; mbi shpenzimet operative; mbi sasinë e objekteve të shfrytëzueshme; mbi madhësinë e vërtete të katit naftëmbajtës dhe mbi sasinë e vërtetë të nxjerrjes. Nga sot, ky shtet po qe se e do me të vërtetë naftën shqiptare të ngrejë Institutin e kërkim studimeve të naftësqë Qeveria dhe KM ta kenë si këshilltarin më të zellshëm, sepse të gjithë inxhinierët e naftë sot janë më të mëdhenj në moshë se Qeveria dhe KM, që përplotësohet proverba e Presidentit francez Miteran, më vjen keq që nuk kisha një njeri më të vjetër në kabinet, ndërkohë që KM i ka me thasë plot me miell dhe me cilësi të mirë biles, nëse do.

Vendburimet e naftës të zbuluara nga ING Fier, të cilat sot ndodhen të akaparuara prej kompanive të huaja në Shqipëri.

Nga sot, ky shtet po qe se e do me të vërtetë naftën shqiptare të ngrejë Rafinerinë e naftës shqiptare. Nga sot, ky shtet po qe se e do me të vërtetë naftën shqiptare të paguajë me status finaciar të gjithë ata që kanë pasur lidhjen me naftën shqiptare. Nga sot, ky shtet po qe se e do me të vërtetë naftën shqiptare të krijojë realisht ”Fondin e sovranit” dhe ta lërë për lehtësira publike për çdo shqiptar.



Lexoni të gjitha në Gazeta Telegraf