15 vjet pa e parë vendlindjen

- Bota Sot

15 vjet pa e parë vendlindjen

Në vitin 2009, Lulzim Ibishi u detyrua ta braktiste shtëpinë e tij në Luginën e Preshevës, pasi në vazhdimësi po vëzhgohej nga shteti serb. Shkak për këtë ishte pjesëmarrja e tij në luftën e Ushtrisë Çlirimtare për Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc, ku shërbeu si komandant brigade. Ani pse ekziston një marrëveshje e amnistisë për ish-ushtarët e UÇPMB-së, Komandant Luli thotë kjo nuk respektohet nga shteti serb.

Ka 15 vjet që jeton në Kosovë.

E ditët kryesisht i kalon në fermën e tij në fshatin Slivovë të Prishtinës.

Bëhet fjalë për Lulzim Ibishin të njohur si Komandant Luli.

Ky i fundit gjatë luftës në Luginën e Preshevës, ishte caktuar komandant i Brigadës 113 “Ibrahim Fejzullahu”.

“Pas përfundimit të luftës së Kosovës, ne vazhduam përgatitjet për luftën në Luginën e Preshevës. Atje nga shokët jam zgjedhur si komandant brigade, komandant i zonës ka qenë Mustafë Shaqiri. Zona e Preshevës i ka pas dy brigada, 113 ku isha unë dhe brigada 115”, thotë Ibishi.

E më të përfunduar lufta e Ushtrisë Çlirimtare për Preshevë, Medvegjë e Bujanoc, u nënshkrua edhe deklarata për amnisti për anëtarët e UÇPMB-së.

Por pavarësisht kësaj, shteti serb në vazhdimësi vëzhgoi ish-ushtarët shqiptarë.

Për këtë, në vitin 2009, Lulzimi Ibishi u detyrua të largohet për në Kosovë.

“Kjo ka ndodhur me 24 dhjetor 2008, kur pas kësaj situata ka qenë e rëndë, ku janë arrestuar diku 20 ushtarë. Unë dy javë pas kësaj, jam larguar nga Lugina sepse vazhdimisht kam pasur përcjellje dhe gjatë natës me orë të tëra xhipat e xhandarmerisë serbe ma kanë vëzhguar shtëpinë.Pasi jam larguar, mu ka bastisë shtëpia dhe mu ka ngritë aktakuza për tri-katër vepra, ku edhe jam i dënuar me 7 vjet e gjysmë burgim”, shprehet ish-komandant Luli.

E për 15 vjet, komandant Luli nuk pati më mundësi të kthehet në vendlindje.

Për këtë, edhe 28 nëntorin e këtij viti, ish-ushtaraku do ta festojë në Kosovë.

“Vëllai ka qenë në Gjermani, pesë vite më i ri se unë. Ai ka vdekur atje dhe varrimi është bërë në Preshevë, nuk kam pas mundësi as me marrë pjesë në varrim e as në të pame. Pas vëllait ka vdekur edhe nëna, as në varrimin e saj nuk kam mundur të marrë pjesë”, tregon ai.

59 vjecari tani banon në Fushë Kosovë.

Por ditët kryesisht i kalon larg qytetit.

“Qe 5-6 vjet merrem me kultivimin e blegtorisë, kryesisht dele dhe i kam një numër të vogël të dhive. I kam edhe 4 qenë deltar ilir, pa të cilët unë nuk mundëm me jetua”, shprehet Ibishi.

Ndryshe, Lulzim Ibishi i ishte bashkuar UÇK-së edhe në luftën e Kosovës, ku luftoi në zonën e Karadakut dhe atë të Llapit.



Lexoni të gjitha në Bota Sot