Përpara ndeshjes do të përqafohen dhe do të përshëndeten shqip, ndërsa për 90 minuta do të jenë rivalë, secili për interesat e tij. Qazim Laçi dhe Indrit Tuci mirëpresin sot në mbrëmje Kristjan Asllanin, në ndeshjen e parafundit të fazës së ligës në Champions.
Pa harruar edhe dy shqiptarët e Kosovës, Rrahmami dhe Krasniqi. Një sfidë shumë e rëndësishme për llogaritë e kualifikimit për më tej, ku zikaltrit kanë detyrimin që të marrin 3 pikët për të mos i lënë asgjë rastësisë dhe ecurisë së skuadrave të tjera. Europa do të ketë ngjyra kuqezi sot në mbrëmje, ku futbollistët shqiptarë shpresojnë që të kenë rol protagonisti.
DERBI KUQEZI- E sigurt është që Qazim Laçi do të jetë titullar në këtë ndeshje. Tashmë nuk është risi sepse në këtë sezon ka fituar me meritë rolin në mesfushë, ku ka shënuar edhe një gol në këtë Champions.
Prezenca e tij në konferencën për shtyp përpara mediave bashkë me trajnerin lë pak dyshime për prezencën nga minuta e parë kundër kampionëve të Italisë. Tuci pritet që të jetë në stol për këtë ndeshje.