Përplasja e tifozërive në derbi/ FSHF akuzon Policinë: Gati të pezullojmë garat

- Bota Sot

Përplasja e tifozërive në derbi/ FSHF akuzon Policinë: Gati të pezullojmë garat

FSHF ka sqaruar opinionin publik se ka ndjekur të gjitha procedurat për organizimin e derbit Partizani-Tirana, por ka akuzuar Policinë e Shtetit për mungesë përgjegjësie.

Sipas institucionit të futbollit, Policia e Shtetit mbërriti me vonesë në stadiumin “Arena e Demave”, duke lënë hapësirë për përplasjen e tifozerive jashtë ambienteve të tij.

Sipas FSHF, edhe në raste të tjera Policia e Shtetit nuk ka pranuar të marrë përsipër sigurinë e ndeshjeve, duke dhënë arsye të pabazuara.

Federata sqaroi se është e gatshme të bashkëpunojë me të gjitha institucionet për mbarëvajtjen e aktiviteteve dhe garave sportive, por në një komunikatë për shtyp theksoi se nëse kjo lloj qasjeje do të vazhdojë edhe në të ardhmen, është e detyruar të rishikojë qëndrimin e saj dhe të marrë masa ekstreme deri në pezullimin e garave kombëtare të futbollit për një afat të pacaktuar.

Nga incidentet në Partizani-Tirana, tre persona u arrestuan nga policia, ndërsa në gjendje të lirë po procedohen penalisht edhe 5 shtetas të tjerë. Në procedim penal janë edhe dy zyrtarë, një në radhët e Partizanit si dhe delegati i FSHF.

Sipas Policisë së Shtetit, impianti “Arena e Demave” nuk plotëson kushtet e sigurisë për zhvillimin e një ndeshje derbi.

Për këtë fakt u njoftuan edhe organizatorët, me këta të fundit që vendosën që sfida të luhej në këtë stadium, duke ndryshuar orarin për një menaxhim më të mirë të situatës.
Për shkak të dhunës, disa punonjës të policisë patën nevojë për trajtim mjekësor, pasi pësuan dëmtime serioze fizike.



Lexoni të gjitha në Bota Sot