Shkarkimi i Thiago Motta-s në fund të sezonit aktual do ti kushtonte Juventusit rreth 20 milionë euro, sipas raportit të fundit të “Tuttosport”. Ish-reprezentuesi italian nënshkroi një kontratë trevjeçare verën e kaluar, kështu që marrëveshja e tij në “Allianz Stadium” skadon në qershor 2027.
Drejtori sportiv Cristiano Giuntoli tha të enjten se Motta nuk rrezikohej të shkarkohej, por mediat italiane besojnë se trajneri i “Bianconerëve” duhet të përmirësojë stilin e tij të lojës dhe marrëdhëniet me një pjesë të dhomës së zhveshjes në pjesën e fundit të sezonit.
Presidenti i Juventusit, Gianluca Ferrero iu bashkua CEO Maurizio Scanavino, Giuntoli dhe Motta të enjten për një takim urgjent me skuadrën pas një largimi "të turpshëm" nga Kupa e Italisë kundër Empolit, përcjellë KosovaPress.
Motta kishte fajësuar publikisht veten dhe lojtarët pas një humbjeje në penallti të mërkurën mbrëma. Mediat italiane kanë emëruar tashmë katër zëvendësues të mundshëm të Motta-s për sezonin e ardhshëm, përfshirë Antonio Conte dhe Gian Piero Gasperini.