Bledi Shkëmbi e ka me lojtarët

- Bota Sot

Bledi Shkëmbi e ka me lojtarët

Dinamo ka triumfuar përballë Tiranës me përmbysje, në ndeshjen e vlefshme për javën e 27-të të Superiores. Derbi që u zhvillua në stadiumin “Elbasan Arena”, përfundoi 1-4 në favor të dinamovitëve. Pas kësaj sfide ka folur trajneri i bardhebluve, Bledi Shkëmbi.

“Është thënë problemi që ne e fillojmë mirë, shënojmë dhe shumë shpejt e pësojmë. Patjetër që kemi gjithë përgjegjësinë si unë i pari. Brenda pak minutave pësojmë 3 gola, në një moment shumë të mirë tonin, ku mund të shënonim dhe kundërshtarin e mbanin në gjysmëfushën e tij.

Kemi komunikuar gjithë javës për pikat e forta të Dinamos, por nuk ishim të përgjegjshëm në ato momente që pësuam. Flasim me futbollistët çdo ditë, s’duhet të shikojnë renditjen. Presioni është prezent në çdo punë që bën, por çdo futbollist duhet të bëjë më të mirën e tij, të stërvitet dhe të marrë më të mirën nga kjo.

Qasje tjetër? Ndoshta tani pas ndeshjes flasim. Ne e dinim shumë mirë që në tranzicion pozitiv Dinamo është një nga më të mirët, me cilësitë e lojtarëve të sulmit. Pavarësisht kësaj duke i dhënë meritën kundërshtarëve, pasi sulmuesit e Dinamos janë më të mirët në kampionatin tonë. Rreshtimi i mbrojtjes nuk u bë në kohën e duhur, goli i dytë erdhi në goditje standarde. Meta dhe Përgjoni më pas nuk arritën që të ndalonin Bregun, të bënte atë që bëri.

Që nga goli i dytë filloi skuadra që të vuante, filloi të nxitohej, të mos komunikohej më, por të ulnin kokën dhe secili të luante në mënyrën e vet.

Është e vërtetë që skuadra u zgjat, pasi humbi llogjikën. Si rrjedhojë e kësaj erdhi edhe pësimi i golave. Ilaçi më i mirë është që në fushë duhet të ketë disa liderë, ato situata më mirë në fushë i zgjedhin vetë lojtarët. Duhen ato liderë që shënojnë gol dhe s’duhet të pësojnë. Merkato?

Po vuajmë pak në krahun e majtë, pasi Përgjoni kur ka probleme dhe nuk është në ditë të mirë ne nuk kemi zëvendësues. Në krahun e djathtë jemi “ok”, kemi bërë merkato pozitive”, tha Bledi Shkëmbi.



Lexoni të gjitha në Bota Sot