Pse ndodhin dhe cilat janë lëndimet e lojtarëve që rrezikojnë karrierën e tyre?

- Bota Sot

Pse ndodhin dhe cilat janë lëndimet e lojtarëve që rrezikojnë karrierën e tyre?

Karriera e një futbollisti natyrshëm nuk është shumë e gjatë. 10 deri në 15 vite është mesatarja e një futbollisti që mund ta zhvillojë karrierën e tij në gjendjen më të mirë fizike.

Por, në shumë raste ajo mund të jetë shumë më e shkurtë për shkak të lëndimeve që një futbollist i ekspozohet gjatë aktivitetit sportiv, si në stërvitje, apo edhe në ndeshje zyrtare.

Por, cilat janë llojet ë lëndimeve që pësojnë futbollistët në fashën e lojës? Sipas fizioterapistit Lorik Maxhuni numri i llojeve të lëndimeve nuk është i vogël.

Maxhuni: Ka disa lloje të lëndimeve të futbollistëve

Llojet e lëndimeve janë të ndryshme, tani po bisedojmë në përgjithësi për sportin por në veçanti për futbollin. Lëndimet sportive në futboll kemi disa lloje duke filluar prej lëndimeve të muskujve, tendinave, të ligamenteve e deri te frakturat dhe thyerjet e kockave. Lëndimet më të shpeshta që ndodhin janë tërheqjet muskulare ose edhe tërheqjet e ligamenteve e deri te këputjet e të dy këtyre. Të gjitha lëndimet ndahen në grada, grada e parë, e dytë dhe e tretë edhe aty pastaj menjëherë e dimë se sa do të zgjasë edhe koha e rikuperimit”, thotë Maxhuni.

Duke folur në një intervistë për KosovaPress, Maxhuni thotë se disa prej lëndimeve kanë shkallë shumë më të lartë të rrezikshmërisë, madje ata mund edhe të sjellin pasoja fatale.

Maxhuni: Lëndimet e kokës janë më të rrezikshmet, mund të sjellin pasoja fatale

Lëndimet më të rrezikshme janë lëndimet e kokës por që ndodhin shumë rrallë sepse nga lëndimet e kokë mund të vijë deri te ndonjë fatkeqësi më e madhe. Lëndimet që i lënë më gjatë lojtarët jashtë fushave të sportit janë kur pëson ndonjë multifrakturë ose thyerje të një kocke por që nuk është vetëm një pjesë e thyer por ka shumë fragmente të thyera. Pastaj vije te këputja e ligamenteve ose operimi i tyre dhe këto marrin kohë më të gjatë. Do të thotë muskujt marrin kohë më të shkurtër, ndërsa kur kemi punë me ligamente ose operime pas thyerjeve, këto marrin kohë më të gjatë”, thekson Maxhuni.

Por cilët janë faktorët që sjellin deri te këto lloj lëndimeve?

Maxhuni: Lëndimet vijnë nga dy faktorë

Edhe kur nuk janë të përgatitur por edhe kur ka mbingarkesa, ndodhin lëndimet. Mund të jenë edhe nga ndërhyrjet e forta që ndodhin në sport, por zakonisht këto këputjet e ligamenteve dhe muskujve nuk ndodhin për shkak të ndërhyrjes natyrshëm dhe ndonjë lëvizje e gabuar e gjurit”, bën të ditur Maxhuni.

Këputja e ligamentit të gjurit, i njohur si ACL, është lëndimi që njihet si më i shpeshti në botën e futbollit, madje si edhe më i rëndi për një lojtar. Maxhuni shpalos detaje se çfarë realisht është ky lloj i lëndimit dhe si ndodh ai.

Maxhuni: Këputja e ligamentit ACL sjellë pasoja të rënda te një futbollist

Kemi shumë lloje të ligamenteve. Zakonisht për më problematike është muskuli ACL (Ligamenti Krucial) që edhe koha e rikuperimit merr më gjatë, prej gjashtë deri nëntë muaj deri te rikthimi. Është problematike për shkak se është ligamenti kryesor i gjurit dhe të lë shumë gjatë jashtë por edhe kur bëhet rikuperimi nuk është çështje e thjeshtë sepse i bllokon shumë gjëra gjatë kohës së rikuperimit, humb lëvizja, humbin gjërat kryesore për të pasur një funksionim të mirë të gjurit...Kjo nuk vjen si pasojë e ndonjë ndërhyrje të fortë por vjen natyrshëm, është një mbirotacion që ndodh te gjuri dhe vjen deri te këputja e ligamentit”, vijon Maxhuni.

Sipas Maxhunit, klubet kosovare nuk janë të përgatitura në mënyrën e duhur me staf mjekësor për të reaguar te lojtarët në rastet e lëndimeve të tyre, sidomos gjatë seancave stërvitore.

Maxhuni: Klubeve kosovare u mungon stafi mjekësor në stërvitje

Në ndeshje janë në rregull sepse është ndihma e shpejtë, nuk fillon ndeshja pa qenë autoambulanca, ata e kanë defribilatorin në autoambulancë dhe e kanë ekipin që duhet të jetë, po flasim si duhet të jetë sipas rregullave sepse ndoshta nuk i kanë por me rregulla normale, duhet të jetë defribilatori në autoambulancë. Është ekipi që përbëhet pastaj prej dy ose tre mjekëve, pra në ndeshje janë në rregull. Por, gjatë stërvitjeve mungon edhe mjeku, mungon edhe defribilatori”, thotë Maxhuni.

Sipas Maxhunit, lëndimet sjellin ngarkesë psiqike dhe financiare te lojtarët. Operacionet që duhet të bëhen pas lëndimeve, Maxhuini bën të ditur se në shumë raste janë jashtëzakonisht shumë të kushtueshme. 



Lexoni të gjitha në Bota Sot