Një legjendë pritet të kthehet si drejtor te Juventusi

- Bota Sot

Një legjendë pritet të kthehet si drejtor te Juventusi

Ai u kthye te Juventusi i tij në shtatorin e kaluar, pasi i dha fund përfundimisht karrierës me futbollin e luajtur në SHBA.

Menjëherë pasi i dha fund karrierës, Xhorxho Kielini filloi eksperiencën e tij të re në strukturën drejtuese të klubit bardhezi, ku ish-mbrojtësi dhe simboli i klubit ka marrë rolin e drejtorit të Marrëdhënieve Institucionalo-Futbollistike, në kontakt të drejtpërdrejtë me administratorin e deleguar, Mauricio Skanavino.

Megjithatë, tani, sipas “La Gazetta dello Sport”, Juventusi po mendon t’i besojë Kielinit një pozicion të rëndësishëm brenda klubit, atë të drejtorit të përgjithshëm. Një ide për të mundësuar fillimin e një epoke të re për bardhezinjtë.

Ish-kapiteni është vërtet një simbol i klubit, nëse marrim parasysh se ai ka luajtur 17 sezone në Serinë A dhe Serinë B me fanellën e Juves, me 561 paraqitje në kompeticione të ndryshme dhe 36 gola të shënuar.

Nëntë tituj kampionë, pesë Kupa Italie dhe po aq Superkupa Italiane, janë bilanci i jashtëzakonshëm i tij. Juvja po e sheh shpëtimin e tij te legjenda e mbrojtjes dhe nëse e shohim nga ana romantike, roli i drejtorit të përgjithshëm do të ishte një vazhdim i denjë e një historie të gjatë dashurie. Megjithatë, për momentin gjithçka mbetet në rolin e thashethemeve, por në Itali pozicioni i ri i Kielinit duket se po bëhet gati.



Lexoni të gjitha në Bota Sot