Thomas Tuchel në veprim… Trajneri i ri i Anglisë, pas largimit të Southgate, mbas Europianit 2024, ka filluar tashmë të lërë shenjë te lojtarët e tij. Siç u zbulua nga tabloidi “Mirror”, gjermani mbajti një fjalim të jashtëzakonshëm frymëzues në “St George’s Park”. Qëllimi? “Të vendosim një yll tjetër mbi fanellë”.
Në pritje të sesionit të tij të parë stërvitor si trajner i ri, Tuchel mblodhi lojtarët e tij për të përcaktuar menjëherë fokusin e përbashkët: Kampionati Botëror 2026.
“Ai tha se objektivi është të vendosim një yll tjetër mbi fanellë”, – zbuloi Dan Burn, i cili shpreson të fitojë ndeshjen e parë, kur Anglia të përballet me Shqipërinë të premten në mbrëmje në “Wembley”. Gjithsesi, të gjithë lojtarët mbetën shumë të impresionuar nga qasja e tij, nga vizioni që kishte për atë që donte të bënte: “Thjesht duke shikuar përreth, pashë se të gjithë ishin të përfshirë dhe donin me të vërtetë të futeshin në këtë ide”.
Duket se Tuchel dëshiron që lojtarët e tij të lënë mënjanë rezervat tipike angleze dhe të bëhen më ekspansivë e më të ngrohtë: “Ai tha se kishte biseduar me lojtarë të turneve të kaluara dhe të kombësive të tjera për të kuptuar se çfarë ka ndryshuar midis atyre që kanë dalë në fazat e hershme dhe atyre që kanë fituar. Dhe shumë nga kjo ka të bëjë me ndërveprimet.
Foli për NBA-në, se skuadrat më të mira historikisht të NBA-së ishin ato ku basketbollistët mbështesnin njëri-tjetrin dhe kishin shumë nga këto ndërveprime”.