Thiago Motta i mbijetoi kolapsit në Firence, por koha në dispozicionin e tij po mbaron. Nëse dëshiron ta mbajë pankinën e Juventusit, duhet të sjellë kthesë në aventurën e tij bardhezi. Duke filluar nga sfida tejet e rëndësishme në “Allianz Stadium” kundër Genoa, e programuar pas rifillimit të kampionatit.
Giuntoli dhe drejtuesit kanë qenë të qartë në ballafaqimin që pasoi humbjen 3-0 ndaj Fiorentinës: ose do të ketë ndryshim të menjëhershëm, ose e ardhmja e trajnerit italo-brazilian është e shkruar.
Për t’i rregulluar gjërat janë dhënë edhe udhëzime teknike mbi zgjedhjet e formacionit, që kanë shkaktuar shumë polemika deri tani. Sepse në Torino po luhet për vendin e katërt, i cili sot konsiderohet më i rëndësishëm se çdo sukses tjetër, përveç titullit kampion.
Dhe kështu, mjaft më me eksperimente, mjaft më me role të improvizuara, mjaft më me përjashtime të pakuptimta. Juventusi që do të zbresë në fushë nga tani e tutje do të jetë një ekip “logjik”, jo i diktuar nga humorët e javës apo nga ndonjë frymëzim i momentit.
Do të rikthehet formacioni me treshe sulmi, me Dusan Vlahovic sërish në qendër të projektit, sepse është një aset, edhe ekonomik, për klubin. Përjashtimet e tij të fundit kanë ndikuar në mungesën e golave në dy ndeshjet katastrofike ndaj Atalantës dhe Fiorentinës.
Serbi do të mbështetet nga Kolo Muani, por edhe Kenan Yildiz, i cili është zhdukur gradualisht nga skena, megjithëse në fillim të sezonit iu besua fanella me numrin 10 si lider teknik. Do t’i takojë Thiago Mottës të flasë me lojtarët e tij, nga senatorët deri te të sapoardhurit, dhe t’u rikthejë atyre motivimin që e ka shuar me mungesën e dialogut dhe gatishmërisë për të bashkëbiseduar.
Sa i përket prapavijës, e cila u rrëzua brenda një jave, hipoteza e një kalimi në mbrojtjen me tre lojtarë para Di Gregorios, si në “Franchi”, nuk përjashtohet, edhe pse nuk mund të bëhet pa praninë në fushë të Gatti dhe Kalulu. Me pak fjalë, udhëzimet janë të qarta dhe tani Mottës i mbetet vetëm t’i zbatojë.
Pa “nëse” dhe pa “por”. Vetëm kështu Thiago Motta mund të ketë një shans për ta vazhduar aventurën e tij bardhezi edhe sezonin e ardhshëm.