“Ndërrimet e Silvinjos, të domosdoshme”, ish-sulmuesi i Kombëtares: Broja apo Asani? Me Serbinë do e tregojë forma

- Bota Sot

“Ndërrimet e Silvinjos, të domosdoshme”, ish-sulmuesi i Kombëtares: Broja apo Asani? Me Serbinë do e tregojë forma

Nëse në ndeshjen me Andorrën ishte sulmi ai që shkëlqeu në ekipin kombëtar, Edmond Kapllani është personi i përshtatshëm për të dhënë opinionet e tij. Në intervistën për “Panorama Sport”, ish-sulmuesi i Kombëtares mendon se ndryshimet që Silvinjo bëri nga Anglia ishin të nevojshme, pavarësisht se në minutat e fundit me Andorrën duhet t’iu jepej mundësia edhe disa lojtarëve të tjerë.

Kapllani mendon se Broja mund të luajë në çdo cep të sulmit, ndërsa Julian Shehu e fitoi “bastin” e tij, por duhet të shihet me një kundërshtar edhe më të fortë.

Ishin të nevojshme ato ndryshimet në formacion apo thjesht Andorra ishte një kundërshtar që nuk mund të matesh se ku je?

Ndryshimet kur luhen dy ndeshje për tri ditë, mendoj se janë të domosdoshme. Kështu që mendoj se Silvinjo me Andorrën, me zëvendësimet që bëri, i dha më shumë freski skuadrës.

Si t’u duk vendimi i Silvinjos për të ulur në stol edhe lojtarë si Asani, Bajrami apo Ramadani, që kanë luajtur rregullisht me Kombëtaren?

Është pak pyetje e rrezikshme. Mendoj se nuk i ka ulur në stol, por u ka dhënë mundësi lojtarëve të tjerë, duke u bazuar edhe te ndryshimet që e përmenda më sipër. Të gjithë që thirren në Kombëtare, janë gati për të luajtur. Mendoj se përveç lojtarëve titullarë, edhe ata të stolit janë po aq të rëndësishëm, sepse shumë ndeshje mund të fitohen edhe me pankinë.

Broja, ndoshta mund të jetë më efektiv në krahë dhe sa e rrezikon formacionin Asani në ndeshjet e ardhshme?

Broja mund të luajë në krahë, por edhe si sulmues i vetëm. Ai është lojtar që kërkon dhe ka nevojë për hapësirë. Them se mund t’i bëjë të trija pozicionet përpara. Nëse rrezikon vendi i Asanit, këtë nuk mund ta them dot, sepse për mua varet se në çfarë forme do të jenë lojtarët kur të vijë ndeshja me Serbinë. Gjithçka është e hapur. Skuadra mori ato tri pikët që ishin të rëndësishme dhe i dha mundësi Silvinjos që të ketë më shumë alternativa në zgjedhje për ndeshjet e ardhshme.



Lexoni të gjitha në Bota Sot