Në Buenos Aires të Argjentinës vazhdon gjyqi ndaj stafit mjekësor që u përkujdes për legjendën Diego Maradona, i cili u nda nga jeta në vitin 2020 nga një atak kardiak. Personat akuzohen se kanë neglizhuar gjendjen e Maradonës, duke sjellë vdekjen e tij të parakohshme në moshën 60 vjeçare.
Dhe autopsia tregon detaje të tmerrshme të ditëve dhe orëve të fundit të legjendës së futbollit botëror, pasi aludohet se ai ka kaluar 12 orë agoni për shkak të mungesës së medikamenteve të duhura.
Gazeta “Clarin” bën të ditur se eksperti Karlos Mauricio Kasineli ka treguar në seancën gjyqësore fotot e mpiksjeve të gjakut të cilat sipas tij tregonin shenjat e agonisë që kaloi Maradona në orët e fundit dhe se zemra i ishte dyfishuar në masë, ashtu si edhe krijimi i 4-5 litrave lëngjeve në organet e tjera si pasojë e saj.
“Zemra ishte plotësisht e mbuluar me yndyrë dhe mpiksje gjaku, të cilat tregojnë agoni. Ky është një pacient që kishte mbledhur ujë gjatë ditëve; kjo nuk është akute. Kjo ishte diçka që ishte e parashikueshme.
Çdo mjek që ekzaminon një pacient do ta gjente këtë. Uji që kishte në bark, si në pleurë ashtu edhe në zemër, nuk është normal, nuk krijohet për një ditë apo një orë.
Është formuar për disa ditë. Nuk ka kohë të saktë. Mund të ketë qenë që nga koha kur u largua nga spitali deri sa vdiq. Kjo ka të ngjarë të zgjatë të paktën 10 ditë, duke pasur parasysh shtimin e cirrozës dhe miokarditit”, tha ai ndër të tjera.
Të 7 personat e stafit mjekësor që janë të pandehur në këtë gjyq, kanë kundërshtuar të gjithë akuzat dhe e cilësojnë veten të pafajshëm. Nëse shpallen fajtorë, ata rrezikojnë deri në 25 vite burg.