Ende nuk ka një marrëveshje përfundimtare, por takimi maratonë prej gati gjashtë orësh i zhvilluar të martën në Romë ndërmjet administratorit të deleguar të Milanit, Giorgio Furlani, dhe Igli Tares, ka shënuar një hap të rëndësishëm në rrugën drejt emërimit të drejtorit të ri sportiv të klubit kuqezi.
Bisedimet mes palëve kanë qenë intensive dhe premtuese, ndonëse nuk janë finalizuar ende, dhe kërkohet të paktën edhe një takim tjetër për të arritur te “po”-ja përfundimtare.
Igli Tare, i cili ka qenë për më shumë se një dekadë në krye të merkatos së Lazios (2008–2023), është kandidati kryesor për këtë rol strategjik te Milani.
Ish-sulmuesi shqiptar gëzon mbështetjen e plotë të Zlatan Ibrahimoviç, që ka një rol kyç në strukturën aktuale të klubit, dhe vlerësohet për eksperiencën e madhe si në futbollin italian, ashtu edhe në atë ndërkombëtar.