Real Madridi fitoi, por pas suksesit 1-0 ndaj Athletic Bilbaos me një gol të mrekullueshëm të Federico Valverdes në fundin e ndeshjes, në fokus janë më shumë çështje jashtë fushës: e ardhmja e Carlo Ancelottit dhe sjellja e Vinicius ndaj tifozëve të vet, të cilët e kanë kritikuar gjatë javëve të fundit.
Ish-ylli i “Los Blancos”, që ka luajtur edhe tek Interi në Itali, Luis Figo, foli për rastin e brazilianit, i cili pasi shënoi një gol (që më pas u anulua), nuk festoi në shenjë proteste:
“Nuk e di çfarë ka ndodhur dhe nuk më pëlqen të ndërhyj në gjëra që nuk i kam parë, por mendoj se nuk është kurrë gjë e mirë të jesh në kundërshtim me tifozët e tu. Nëse dëshiron që ata të të mbështesin, duhet të luash mirë që njerëzit të ndihen të lumtur me ty”.
Ish-futbollisti portugez theksoi rëndësinë e marrëdhënies mes lojtarëve dhe tifozëve të tyre, duke shtuar: “Ndoshta nuk të interesojnë tifozët e tjerë, por të tutë duhet të të duan, apo jo?”
Më pas, për Ancelottin, Figo ndryshoi ton: “Nëse do të qëndrojë? Kjo është një pyetje për Florentino Pérez, nuk e di. Për të qenë i sinqertë, unë jam në botën e futbollit prej shumë vitesh dhe e di që njerëzit kanë kujtesë të shkurtër, vlen vetëm rezultati i fundit.
Ndoshta kjo ndodh sepse është Real Madridi, por më duket shumë e çuditshme që një trajner i nivelit të Ancelottit të vihet në diskutim. Nuk e di…, më duket e çuditshme që menjëherë pas një ndeshjeje të Ligës së Kampionëve, e vetmja pyetje në konferencë të ketë qenë për të ardhmen e trajnerit.
Si mund të trajtohet kështu dikush që ka fituar gjithçka dhe që çdo vit tregon vlerat e tij si trajner. Në futboll nuk mund të fitosh gjithmonë. Pra, nuk e di…, ky është mendimi im, u habita shumë”.