E turpërove simbolin e Realit, përplasja

- Bota Sot

E turpërove simbolin e Realit, përplasja

Pas finales dramatike të Kupës së Mbretit ku Real Madridi u mposht nga Barcelona me rezultatin 3-2 pas kohës shtesë, tensionet në dhomat e zhveshjes së madrilenëve shpërthyen në mënyrë të pazakontë.

Sipas të përditshmes spanjolle ‘Don Balon’, kapiteni legjendar Luka Modrić eshte konfrontuar ashpër me Antonio Rüdiger, duke e akuzuar se “e turpëroi simbolin e Real Madridit”.

Gjithçka ndodhi në fundin e ndeshjes, kur mbrojtësi gjerman, i zemëruar me gjykimin e arbitrit Ricardo de Burgos Bengoetxea, hodhi një shishe uji në drejtim të tij – veprim që i kushtoi kartonin e kuq.

Skenat u bënë edhe më të tensionuara kur pas fishkëllimës së fundit, Rüdiger shpërtheu në dhomat e zhveshjes, ku u përball me kritikat e hapura të Modrić.

"Real Madridi nuk sillet kështu, as kur ndihemi të dëmtuar," mësohet t’i ketë thënë Modrić, sipas burimeve të afërta me klubin.

Konflikti mes të dyve shkoi aq larg sa disa lojtarë dhe anëtarë të stafit teknik të Carlo Ancelotti-t ndërhynë për të shmangur një përplasje fizike.

Edhe pse fillimisht reagoi me zemërim ndaj vërejtjeve të Modrićit, Rüdiger u qetësua me kalimin e kohës dhe më pas kërkoi falje publike për sjelljen e tij.

Në një postim në Instagram, mbrojtësi gjerman tha se veprimet e tij nuk përfaqësojnë vlerat e klubit dhe shprehu keqardhje për gjestin ndaj arbitrit.

Ky episod vjen në një moment kur Real Madridi po përjeton tensione të brendshme dhe ku figura si Luka Modrić vazhdojnë të përfaqësojnë jo vetëm cilësinë në fushë, por edhe dinjitetin dhe kodin moral të klubit më të madh në histori.



Lexoni të gjitha në Bota Sot