Sezoni i parë i Kylian Mbappes si futbollist i Real Madridit nuk po shkon ashtu siç e kishte imagjinuar kur pranoi ofertën e klubit madrilen, verën e kaluar.
Edhe pse është në garë për “Pichichi” (golashënuesin më të mire të La Liga-s), francezi nuk ka pasur vazhdimësinë që priste, ekipi i tij ka qenë larg nivelit për të konkurruar me rivalin e përjetshëm, Barcelonën, e cila është vetëm disa ndeshje larg fitimit të tripletës sezonale për herë të tretë në historinë e saj.
Përtej fushës së lojës, sulmuesi francez mbërriti në Spanjë me një pjesë të adaptimit të bërë, pasi tashmë fliste spanjisht rrjedhshëm, diçka që padyshim e ndihmoi në kontaktin e parë me klubin e ri.
Nuk dihej nëse Mbappé ishte njohur më parë me kënaqësitë e kuzhinës spanjolle, një aspekt që ka pasur mundësi ta shijojë gjatë muajve të qëndrimit në kryeqytetin spanjoll.
Edhe pse kuzhina e lartë franceze është e njohur në të gjithë botën, e vërteta është që kuzhina spanjolle i afrohet shumë, nëse nuk e tejkalon. Franca është ende përpara në numrin e yjeve Michelin, por në shije, gjithçka është çështje preferencash.
Tani është bërë e ditur se pjata e preferuar e yllit francez, mes opsioneve të pafundme të kuzhinës spanjolle, nuk kërkon kuzhinierë të famshëm apo udhëtime të gjata.
Mbappes, më shumë nga gjithçka i pëlqen jamón-i (proshuta spanjolle). Këtë e konfirmoi disa ditë më pare, gjatë një bisede me Ibai Llanos, ku “streamer”-i i dhuroi një “kuti misterioze” të personalizuar, me gjëra që mund t’i pëlqejnë, mes tyre jamón-i dhe djathi.
“Ky kombinim më çmend. Që kur kam ardhur në Spanjë, përpiqem të gjej vende ku mund të ha jamón”, – zbuloi sulmuesi, i cili njihet për pasionin e tij ndaj mishit të mirë. Madje, është parë edhe në disa restorante mishi, megjithëse rrallë për shkak të axhendës së ngjeshur që ka si futbollist elitar.