Besart Ibraimi: Ndoshta është titulli më i vështirë i karrierës time

- Bota Sot

Besart Ibraimi: Ndoshta është titulli më i vështirë i karrierës time

Me titullin e fituar këtë sezon me Shkëndijën, sulmuesi Besart Ibraimi shkruan historinë si një nga futbollistët më të suksesshëm në Ligën e Parë të Maqedonisë, duke kurorëzuar një karrierë brilante me gola dhe trofe.

Pas triumfit të fundit me KF Shkëndijën në sezonin 2024/25, Besart Ibraimi u kurorëzua për herë të gjashtë kampion i Maqedonisë së Veriut, duke vazhduar të jetë një nga figurat më domethënëse të futbollit vendor. Me emocion të madh, Ibraimi është shprehur o kënaqur nga suksesi i shënuar: “Normalisht se ndjehem shumë i lumtur për këtë titull, ndoshta është titulli më i vështirë i karrierës time. Dëshira e madhe për ta fituar e ka bërë që të jetë kaq e vështirë, por ja që në fund u gëzuam dhe tani ta shijojmë.”

Ky është titulli i katërt me fanellën kuqezi të Shkëndijës për sulmuesin nga Tetova, i cili ndër vite ka qenë simbol i suksesit, profesionalizmit dhe dashurisë për futbollin. Tre tituj të tjerë i ka fituar me skuadrën e Struga Trim & Lum, ku spikati si lider, por kthimi tek Shkëndija ka shënuar një kthesë të rëndësishme, jo vetëm për klubin, por edhe për te.

Lista e sukseseve të Ibraimit është e gjatë: pesë herë golashënuesi më i mirë i Ligës së Parë, fitues i Kupës së Maqedonisë në sezonin 2015/16, dhe gjithmonë në krye të listës së shënuesve – edhe këtë sezon, me dy javë deri në fund, ai udhëheq me 15 gola.

Në retrospektivë, ai ka arritur shifra të frikshme për çdo sulmues: 25 gola në sezonin 2015/16, 20 në 2016/17, 22 në 2017/18, 24 në 2020/21 dhe 19 gola në 2022/23. Një qëndrueshmëri e rrallë që e veçon mes bashkëkohësve të tij.

“Sigurisht se jam shumë i përmbushur, urime të gjithë tifozëve, Tetovës, ‘Ballistëve’, gjithë tifozëve të Shkëndijës – ta shijojmë këtë sukses bashkë,” përfundoi ai me krenari.

Në një karrierë që numëron gola, tituj dhe dashuri të pashtershme për fanellën, Besart Ibraimi nuk është vetëm një emër në statistika, por një frymëzim për brezat e rinj. Ai mbetet një nga ikonat e pakontestueshme të futbollit shqiptar. Dhe me formën që ka, kush mund të thotë se kjo është fjala e fundit e një kampioni të lindur. 



Lexoni të gjitha në Bota Sot