Ardian Ismajli ka shënuar një arritje të rëndësishme personale në karrierën e tij futbollistike.
Ndeshja e së shtunës ndaj Parmës, e vlefshme për kampionatin italian, ka qenë e 100-ta me fanellën e Empolit për mbrojtësin shqiptar, i cili prej tre sezonesh është një nga shtyllat e prapavijës së skuadrës toskane.
I transferuar në verën e vitit 2021 nga Spezia, Ismajli është shndërruar në një titullar të padiskutueshëm dhe një lider të mbrojtjes, duke dhënë kontribut të madh në objektivin e përvitshëm të mbijetesës së Empolit në Serie A.
Me paraqitjet e tij të qëndrueshme, ai ka fituar besimin e trajnerëve dhe tifozëve, por edhe vlerësimin e klubit.
Në prag të sfidës ndaj Parmës, që përfundoi me fitoren 2-1 të Empolit, Ismajli është nderuar nga klubi me një çmim simbolik, të cilin ia ka dorëzuar zëvendëspresidentja dhe administratorja e deleguar e Empolit, Rebecca Corsi.
Ky gjest është një dëshmi e rëndësisë që shqiptari ka për skuadrën, jo vetëm si lojtar, por edhe si figurë e respektuar në dhomat e zhveshjes.
Për vetë Ismajlin, kjo arritje përfaqëson një moment krenarie.
Nga dita e parë që veshi fanellën blu të Empolit, ai ka treguar profesionalizëm, vendosmëri dhe një përkushtim të jashtëzakonshëm, duke u bërë gjithashtu një element i rëndësishëm edhe për Kombëtaren Shqiptare.
Me kontratën që ende vazhdon dhe me formën që po kalon, Ismajli pritet të thyejë edhe më shumë rekorde personale në vitet e ardhshme, duke qenë një pikë referimi për mbrojtjen e Empolit dhe një shembull për lojtarët e rinj që rriten në radhët e klubit.