Bajern Mynih mund të humbasë një nga yjet e tij. Leroi Sane ka refuzuar ofertën e fundit që i ka bërë klubi për rinovimin e kontratës dhe në situatën aktuale. do të largohet me parametër zero në qershor.
Futbollisti gjerman kishte marrë një ofertë nga klubi, por nuk ishte dakord me parametrat financiarë të saj.
Ndaj 29-vjeçari ka refuzuar këtë ofertë dhe vazhdon t’i qëndrojë deri tani besnik idesë së largimit nga bavarezët në kërkim të një sistemimi të ri.
Drejtori sportiv i Bajern Mynih, Maks Eberl, konfirmoi pas suksesit 4-0 ndaj Hofenhajm se marrëveshja kishte dështuar. “Leroi tha sot se ai nuk dëshiron ta pranojë ofertën në formën aktuale. Kjo është e drejta e tij.
Gjëja e këndshme në këtë situatë është se nuk ka asnjë lloj armiqësie mes nesh. Është ndjesia ime dhe ndoshta tërësisht e gabuar por duket se Leroi dëshiron të qëndrojë. Tani të shohim se çfarë do të ndodhë në ditët në vijim”, tha drejtuesi i Bajernit, duke i hapur rrugë mundësisë së përmirësimit të ofertës për të gjetur gjuhën e përbashkët me yllin e sulmit.